Në diskutimin panel të sotëm “Po i ndërtojmë themelet e ndryshimeve. Për kohën tënde që po vjen”, mbajtur me rastin e njëvjetorit të Qeverisë, zëvendëskryeministri dhe ministri për marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Ivan Stoilkoviq, foli për problemet e hasura në momentin e marrjes së detyrës në MZB, por edhe për atë që është bërë gjatë kësaj periudhe.
– Kur e dëgjoni kryeministrin duke thënë se kemi gjetur një shtet me themele të shkatërruara, këtë më së miri mund ta ilustroj gjendja që e gjeta në Ministrinë për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive. Atje nuk ekzistonte as program pune, as dokumente të brendshme për funksionimin e Ministrisë. Puna zhvillohej jashtë rregullave dhe dispozitave, jashtë ligjeve dhe Kushtetutës së shtetit tonë.
Kështu që, gjëja e parë që arritëm ta bëjmë dhe që e pamë se duhet bërë, ishte miratimi i një Plani Strategjik të Punës. Ky plan parashikon aktivitete të Ministrisë në drejtim të stabilizimit të marrëdhënieve ndëretnike dhe kërkon shumë energji dhe përkushtim për të vendosur stabilitetin politik të shtetit si kusht i domosdoshëm për zhvillimin ekonomik. Pasi vendosëm edhe dokumentet e brendshme të punës dhe miratuam programin e punës, gjërat filluan të zhvillohen në drejtimin e duhur.
Dua të theksoj këtu se, nga periudha e ministrit të mëparshëm deri më sot, pra me Buxhetin që e menaxhoj unë, shpenzimet janë ulur për 60 %, ose që ta përkthejmë këtë në terma më të kuptueshme për qytetarët – kemi kursyer rreth 1 220 000 euro, që do të thotë se të gjitha shpenzimet joproduktive i kemi eliminuar, dhe gjithçka që ishte rezultat i një menaxhimi të papërgjegjshëm nuk ekziston më.
Është e rëndësishme të theksohet se kemi hyrë në realizimin e plotë të rekomandimeve të Këshillit për Reformën e Administratës Publike – nuk ka më ulje në shtëpi dhe marrje rroge. Nga 296 të punësuar që i gjeta në Ministri në baza të ndryshme, tashmë 112 prej tyre nuk janë më të punësuar në Ministri, në mënyra dhe baza të ndryshme. Për të mos u keqkuptuar: këta 112 persona janë larguar në mënyrë tërësisht ligjore, pasi Ministria nuk ka marrë asnjë ankesë, as ndonjë padi lidhur me vendimet e marra. Na kanë mbetur edhe 79 persona të tillë, proceset janë në vijim dhe shpresojmë që deri në fund të vitit të përmbyllim edhe këtë kapitull, në mënyrë që Ministria të mbetet me diku 80–90 të punësuar – numër që e konsideroj racional për një ministri me një përgjegjësi të tillë.
Ndërkohë, kemi miratuar një program të ri për shënimin e ditëve të bashkësive kombëtare, dhe besoj se tashmë te anëtarët e bashkësive më të vogla etnike ndjehet ndryshimi dhe është mjaft serioz. Kishim pengesa në fillim, por me kalimin e kohës ato pengesa po i tejkalojmë dhe shpresojmë se aktivitetet do të marrin hov pozitiv.
Gjithashtu, dua të flas edhe për konkursin për financimin e shoqatave dhe organizatave joqeveritare, sepse pati reagime nga opinioni për mënyrën e shpërndarjes së mjeteve. Kam dhënë disa përgjigje, por mendoj se publikut maqedonas duhet t’i themi edhe një herë – është kohë reformash, është kohë ndryshimesh të plota, dhe ajo që ishte “si më parë” nuk mund të vazhdojë më. Thelbi i Ministrisë është ndryshuar thellësisht. Përveç përfaqësuesve të bashkësive më të vogla etnike, ne duhet të kujdesemi edhe për disa përcaktime themelore shtetërore, siç është promovimi i BE-së, lufta kundër korrupsionit dhe të ngjashme, të cilat duhet të jenë pjesë e këtyre përcaktimeve programore.
Dhe më e rëndësishmja – shumëkush mendon se ministri merr vendime të brendshme për shpërndarjen e fondeve, gjë që tani nuk është më kështu. Unë qëllimisht e kam përjashtuar veten nga procesi i marrjes së vendimit, duke ia lënë atë një komisioni prej shtatë anëtarësh – përfaqësues të pothuajse të gjitha ministrive. Nga Ministria ime, përfaqësues ishte një anëtar i bashkësisë boshnjake, një nga bashkësia vllahe, dy shqiptarë dhe tre maqedonas. Kjo tregon transparencë dhe kujdes se si shpërndahen fondet për të shmangur komentet e dikurshme se ministri përdorte kompetencat për të ndryshuar vendimet siç dëshironte. Në të kaluarën kemi pasur raste ku 33 organizata nga një bashkësi e vetme kombëtare kanë marrë fonde, gjë që është krejtësisht e papranueshme. Në këtë aspekt, ndryshimi është i madh dhe shumë i dukshëm.
Në fund, dua të theksoj se e kemi avancuar funksionimin e Ministrisë në një nivel të tillë që kushdo që do të vijë pas meje në këtë pozitë do të hyjë në një “shtëpi të rregulluar mirë”, me themele solide, ku do të mund të vazhdojë punën e vet pa pengesa – tha në fjalimin e tij zëvendëskryeministri dhe ministri Stoilkoviq.