Ministria e Administratës Publike e shënoi Ditën e nëpunësve publik dhe shërbimeve publike me një Konferencë kushtuar sektorit publik modern dhe menaxhimit të orientuar drejt rezultateve

Ministria e Administratës Publike e shënoi rëndësinë e shërbimit publik dhe nëpunësve publik përmes organizimit të një konference solemne me rastin e Ditës së nëpunësve publik dhe shërbimit publik. 

Në këtë ngjarje, fjalim mbajti ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, i cili theksoi rolin kyç të shërbimit publik si themel i çdo shteti funksional, të drejtë dhe dinjitoz. 

“Administrata publike nuk është burokraci – ajo është qarkullimi i shtetit. Nëpunësi publik është fytyra e shtetit – fytyra e kujdesit, e drejtësisë dhe e shpresës,” theksoi ministri Minçev gjatë fjalimit të tij. 

Ministri vuri në dukje ndryshimin në qasjen e Qeverisë së re ndaj reformave në administratën publike, duke theksuar se në muajin e parë të mandatit janë tërhequr dhe rishikuar ligje kyçe reformuese, të cilat përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës janë përgatitur dhe miratuar nga Qeveria.

Minçev dërgoi mesazh drejtuar nëpunësve publik – “Ju nuk jeni hije në sistem – ju jeni drita e tij. Do të vazhdojmë të luftojmë për një sistem ku vlerësohet puna, e jo libreza partiake. Për një administratë publike që do të jetë shtyllë e Maqedonisë evropiane.” 

Ngjarja u pasurua me praninë dhe fjalimet e përfaqësuesve të lartë, ndër ta: Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Prof. Dr. Hristijan Mickoski, zëvendëskryetari i Qeverisë z. Arben Fetai, si dhe zëvendësshefi i misionit në Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar, Sh.T. Daniel Fieler. 

Përmes kësaj ngjarjeje, Ministria e Administratës Publike konfirmoi fokusin e saj strategjik – të jetë bartëse e reformave, nxitëse e modernizimit dhe garanci për një administratë të depolitizuar, transparente dhe profesionale.