Mickoski: Pas 7 viteve ngecje ndërtojmë interkonektorin e gazit me Greqinë, së bashku me projektet e tjera, nga një vend i varur nga importi, do të na shndërrojnë në një vend i cili eksporton energji elektrike

Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, në seancën e sotme parlamentare për pyetje të deputetëve, theksoi se më në fund, pas 7 viteve ngecje, punohet në interkonektorin e gazit me Greqinë dhe se bëhemi një vend i cili do të tranzitojë gazin, që së bashku me projektet e tjera në sektorin e energjetikës, do të na shndërrojnë nga një vend i varur nga importi në një vend eksportues i energjisë elektrike, gjë që do të ndikojë pozitivisht në bilancet financiare. 

Sa i përket ndërtimit të interkonektorit të gazit me Greqinë, kryeministri Mickoski sqaroi se qeverisë së kaluar i ishte lënë një projekt i përfunduar me marrëveshje të nënshkruara, financim të siguruar dhe projektim të kryer, por për 7 vite ata nuk kanë bërë asgjë, përveç një tenderi me bazë për korrupsion, i cili e kishte vënë në pikëpyetje financimin e projektit. 

“Huadhënësit thanë se nuk do ta financojnë, sepse në dokumentacionin e tenderit ka pjesë që tregojnë për korrupsion dhe thanë se do të tërhiqen ose dokumentacioni i tenderit të korrigjohet dhe të fillohet nga fillimi. Duke pasur parasysh që ky interkonektor është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e shtetit, sepse bashkë me interkonektorin me Serbinë fqinje dhe degën drejt Kosovës fqinje, ne bëhemi një lojtar shumë i rëndësishëm në pjesën e tranzitit të burimeve energjetike, sepse kapaciteti i këtij interkonektori është rreth 3 miliardë metra kub, me ato që vijnë nga lindja do të arrijmë deri në 4 ose 4.5 miliardë metra kub, ndërsa ne si shtet konsumojmë vetëm gjysmë miliardë, që do të thotë se 4 miliardë do të tranzitojnë. Për herë të parë bëhemi vend që do të jetë në hartën e shteteve tranzituese të këtij lloji të burimeve energjetike dhe imagjinoni, ata kanë luajtur për 7 vite dhe tenderi bie për shkak se kishte bazë për korrupsion. Ne e korrigjuam dokumentacionin e tenderit, e shpallëm, zgjodhëm realizuesit, ia dërguam kreditorëve dhe ata na dhanë dritë jeshile,” deklaroi kryeministri Mickoski. 

Kryeministri Mickoski shtoi se kompania është futur në punë që para një muaji, aktivitetet në terren janë drejt përfundimit dhe po zhvillohet me një dinamikë jashtëzakonisht të shpejtë, ndërsa rreth datës 10 korrik planifikohet që qytetarëve maqedonas t’u prezantohet zyrtarisht se po ndërtohet interkonektori i dytë. 

“Deri tani kishim një me Bullgarinë, por njëkahësh, ky është dykahësh. Edhe ai që planifikojmë ta ndërtojmë me Serbinë, që të bëhemi një vend përmes të cilit do të tranzitohet gazi. Pres që në fund të vitit 2026 ose në fillim të vitit 2027, ky të jetë funksional dhe i lidhur me gazsjellësin kombëtar të Maqedonisë. Kjo është një çështje serioze, sepse do të mundësojë sjelljen e sasisë së re të gazit për termocentralet e reja që i planifikojmë në Shkup, por edhe në gjithë vendin.  Pavarësia energjetike nuk është vetëm me këtë interkonektor, por vazhdojmë ta ndërtojmë, sepse ajo është arkitektura për të ardhmen e shtetit,” theksoi kryeministri Mickoski. 

Kryeministri Mickoski theksoi se po fillohet edhe me projekt shumë të rëndësishëm, e ai është parku me erë në Shtip, Karbincë dhe Radovish, i cili në nivel vjetor me kapacitet maksimal do të prodhojë 1 teravat orë energji elektrike, që përbën rreth 20% të prodhimit të planifikuar të sotëm të SHA EMV dhe për herë të parë këtë vit pritet që viti të përfundojë me rezultat të barabartë me zero, gjegjësisht do të prodhojmë aq sa do të konsumojmë.

“Sigurisht që do të ketë periudha të vitit kur do të importojmë, zakonisht kjo ndodh gjatë dimrit, por do të ketë edhe periudha kur do të eksportojmë, megjithatë, në fund të vitit për herë të parë do të jemi në zero, nuk do të jemi më të varur nga importi, e më pas, pasi të fillojnë të vijnë sasitë e para, do të bëhemi eksportues, gjë që është një tregues historik, do të kemi tepricë të energjisë elektrike dhe kjo do të ndikojë pozitivisht si në bilancet financiare ashtu edhe në BPV,” deklaroi kryeministri Mickoski. 

Po ashtu, kryeministri Mickoski shtoi se me Kosovën sigurojmë rreth një milion tonë qymyr, i cili më pas do të paguhet me energji elektrike, e jo si më parë përmes tenderëve, çmimeve të larta dhe pagesave me para në dorë, tani është më ndryshe dhe shtrohet pyetja pse më parë qymyri paguhej më shtrenjtë se tani dhe ku ka shkuar ajo diferencë.