Fetai: Trashëguam sistem plotësisht të korruptuar, por kemi filluar të ndërtojmë një model të ri qeverisjeje, i cili bazohet në ndershmëri, profesionalizëm dhe transparencë.

Të nderuar përfaqësues të mediave,
Të dashur qytetarë, 

Me rastin e përvjetorit të parë të kësaj Qeverie, jemi para jush për të reflektuar me sinqeritet dhe përulësi mbi sfidat e jashtëzakonshme që na dolën përpara, për të ndarë me ju të arriturat që e meritojnë të kremtohen, por edhe për të dhënë llogari – sepse kjo është etika e re e Qeverisë, një Qeveri që i përgjigjet qytetarit dhe që matet me angazhimet që i ka marrë para jush.

Ky vit i parë ishte një vit i vështirë – por ishte vit i shpresës. Sepse ne nuk nisëm nga zeroja, por nga minusi. 

Ne trashëguam një sistem të rrënuar, të keqpërdorur dhe të korruptuar. Por mbi ato rrënoja, nisëm të ndërtojmë një model të ri të qeverisjes – me themele të ndershmërisë, profesionalizmit dhe transparencës.

Çfarë gjetëm kur e nisëm?

•    Gjetëm gjakderdhje financiare, me mbi 70% të buxhetit të shpenzuar në vetëm pesë muajt e parë të vitit.
•    Gjetëm krim dhe korrupsion të strukturuar në çdo institucion, në çdo sektor. Qindra miliona euro nga paratë e qytetarëve ishin keqpërdorur – dhe për këtë, përgjegjësit po fillojnë të japin llogari.
•    Gjetëm strategji e plane të miratuara por të mbetura në sirtarë, të vdekura në letër.
•    Gjetëm poashtu një sistem të drejtësisë të kapur nga parapolitika dhe oligarkia – një sistem që punonte kundër interesit publik, kundër qytetarit.

Çfarë bëmë ne për të ndryshuar këtë gendje mjeruese?

Ne nuk kemi premtuar mrekulli – kemi premtuar ndershmëri, përkushtim dhe ndryshim të vërtetë. Dhe këtë e kemi nisur nga thelbi i problemit: mungesa e vullnetit politik për të luftuar korrupsionin dhe për të ndërtuar qeverisje të përgjegjshme.

Në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë – IRI, NDI, UNOPS, USAID të cilët dua t’i falenderoj për përkrahjen e tyre të vazhduar – kemi hartuar Planin Vjetor për Qeverisje të Mirë për vitin 2025, të qasshëm për këdo në webfaqen e Qeverisë. Ky plan bazohet në katër shtylla themelore:

1.    Parandalimi dhe lufta kundër korrupsionit
2.    Fuqizimi i kapaciteteve për hetime financiare dhe konfiskim të pasurisë së paligjshme
3.    Transparenca dhe qasja në informacion për qytetarët
4.    Dialogu strategjik me shoqërinë civile

Të dashur qytetarë,  

Sot para jush, dua të flas për disa nga punët konkrete dhe të arriturat kryesore të kabinetit tim gjatë këtij viti të parë.  

Në këtë vit, kemi hedhur hapa konkretë për të rikthyer besimin dhe për të ndërtuar një shtet që i shërben qytetarit.

1. Lufta kundër korrupsionit

Krijuam Trupin Ndërresorial për Koordinimin e Luftës kundër Korrupsionit, duke përfshirë në këtë trup për herë të parë me të drejtë vote edhe organizatat joqeveritare– sepse beteja kundër korrupsionit nuk është vetëm institucionale, por shoqërore.

Ky trup tashmë ka miratuar metodologjinë për integrimin e masave antikorrupsion në negociatat me BE dhe po reformohet për të qenë më efikas. Poashtu kemi duke i forcuar mekanizmat e mbikëqyrjes dhe të nxitjes në nivel politik të luftës kundër korrupsionit.

2. Rindërtimi i besimit me shoqërinë civile

Qeveria e kaluar kishte shkëputur çdo komunikim me sektorin civil. Këshilli për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile kishte ndaluar së funksionuari në vitin 2022. Pra dy vite të humbura ku nuk kishte më dialog midis shtetit dhe sektorit civil.

Ne e kemi ringjallur Këshillin për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile, kemi mbajtur tri mbledhje dhe kemi hartuar Strategjinë e re për bashkëpunim, që së shpejti miratohet në Qeveri. Pra, kemi rivendosur dialog të strukturuar, të hapur dhe kosntruktiv, me shoqërinë civile, e cila është mbikëqyrëse dhe korrigjuese e punës së qeverisë, e cila u ofron shërbime qytetarëve dhe u jep zë atyre që nuk dëgjohen. Kjo është prova se ne nuk kemi frikë nga kritika – përkundrazi, e mirëpresim.

3. Hetime financiare dhe konfiskimi i pasurisë së paligshme 

Siç e dimë, partnerët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht Bashkimi Evropian, çdo vit kërkojnë nga ne rezultate konkrete në luftën kundër krimit dhe korrupsionit – dënime përfundimtare në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë dhe konfiskim të aseteve të fituara në mënyrë të paligjshme. Nën qeverisjen paraprake, nuk mbahet mend të jetë dënuar ndonjë “i fortë” me vendim të plotfuqishëm për korrupsion. Edhe trendi i konfiskimit të aseteve të paligjshme, në vend që të shënojë rritje, ka shënuar rënie të vazhdueshme, duke shkuar drejt zeros.

Kjo do të ndryshojë. Kemi miratuar Strategjinë për Hetime Financiare dhe Konfiskim të Pasurisë 2025–2028. Po themelojmë Këshillin Nacional, që do të udhëhiqet nga unë, për ta kthyer këtë strategji në veprim konkret. Pasuria e krimit do të shkojë në buxhetin e shtetit – për qytetarin, për zhvillim social, jo në xhepin e të korruptuarve.

4. Përmirësimi i transparencës 

Strategjia ekzistuese shtetërore për transparencë ishte thuajse e paimplementuar. Unë kam kërkuar një vlerësim të zbatimit të saj gjatë qeverisjes paraprake dhe kemi konstatuar se niveli i zbatimit ishte në përqindje njëshifrore. Në këtë drejtim, kemi dorëzuar në procedurë qeveritare një informacion me masa konkrete për veprim të menjëhershëm nga institucionet, me qëllim përmirësimin e transparencës. Poashtu po konsiderojmë një strategji të re, më konkrete, më të përshtatshme për nevojat e qytetarëve dhe mediave.

5. Parandalimi i keqpërdorimeve të pronës shtetërore

Një nga prioritetet e mia kryesore është parandalimi i keqpërdorimit të pasurisë shtetërore. Aktualisht jemi duke punuar në krijimin e Regjistrit të parë të Pasurisë së Paluajtshme Shtetërore – një hap historik që bazohet në përvojat më të mira evropiane, veçanërisht në modelin kroat. Në këtë moment, institucionet publike janë duke plotësuar një formular online me të dhënat për pasuritë që i posedojnë apo përdorin. Në buxhetin e Ministrisë për Transformim Digjital janë ndarë mjete për blerjen e softuerit të këtij regjistri, i cili do të bëhet realitet shumë shpejt.  

Në të njëjtën linjë të parandalimit të keqpërdorimeve, në bashkëpunim me Shërbimin për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Ekonomisë, po punojmë për krijimin e Regjistrit të Automjeteve Zyrtare. Para muajit shtator, të gjitha automjetet zyrtare do të pajisen me targa të veçanta me ngjyrë, çka do t’i japë fund abuzimeve me përdorimin e tyre për qëllime jozyrtare.

Dhe në fund, por jo më pak e rëndësishme – ndonëse jo drejtpërdrejt pjesë e portofolit tim – një nismë me të cilën krenohem si bartës i procesit, është miratimi në qeveri i Projektligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat. 

Ky projektligj synon të sigurojë përfshirjen e barabartë dhe proporcionale të të gjitha komuniteteve në organet shtetërore dhe institucionet publike, si një vlerë themelore kushtetuese e dalë nga Marrëveshja e Ohrit. Me këtë ligj, po përmbushim një zotim të kahershëm, 24-vjeçar, për përfaqësim të drejtë – një hap historik drejt rritjes së besimit në institucionet publike dhe forcimit të unitetit ndërmjet komuniteteve të ndryshme në vendin tonë.

Të dashur qytetarë, 

Këto arritje janë vetëm fillimi. Kemi edhe shumë punë përpara, por tashmë kemi një drejtim të qartë.

Jemi duke përgatitur dy ngjarje madhore rajonale që do e vendosin Maqedoninë e Veriut në hartën e Evropës për sa i përket qeverisjes së mirë dhe luftës kundër krimit dhe korrupsionit:

•    Në nëntor, për herë të parë në rajon, do të organizojmë Konferencën Rajonale për Koordinim të Sigurisë, në bashkëpunim me Këshillin për Bashkëpunim Rajonal dhe Qeverinë e Italisë.
•    Në dhjetor, me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, do të mbajmë Konferencën Rajonale për Luftën kundër Korrupsionit. Kam për synim që kjo konferencë të bëhet tradicionale dhe të vendos Maqedoninë e Veriut si lider rajonal në këtë rrafsh.

Të dashur qytetarë,

Ne jemi ndryshe nga ata që ishin para nesh, sepse ne nuk e shohim pushtetin si privilegj, por si përgjegjësi. Ata sunduan për vete. Ne qeverisim për ju.

Sot, nuk ju kërkojmë durim – ju kërkojmë besim. Jo në fjalë, por në vepra. Jo në premtime boshe, por në rezultate të matshme.

Bashkë po ndërtojmë një shtet që nuk ju zhgënjen, një qeveri që nuk ju vjedh dhe një administratë që nuk ju injoron. Po ndërtojmë një shtet ku çdo qytetar ndihet i përfaqësuar, i dëgjuar dhe i respektuar

Ju faleminderit për vëmendjen.