Mirëdita edhe nga unë. Unë nuk kam çfarë të shtoj në atë që tha drejtori, zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit.
Do të doja vetëm ndoshta të theksoj se ato pjesë të këtij aksi të autostradës Kërçovë – Ohër ku ka rrëshqitje të dheut janë duke u punuar, po ashtu punohet në projekte për stabilizimin e tokës, sepse kjo është shumë e rëndësishme që e gjithë traseja të mund të lëshohet dhe të përfundohet. Ato disa kilometra pranë fshatit Botun, por edhe ato kilometra që lidhin tunelin tek Vërbljani me Kërçovën, praktikisht nga dalja e tunelit deri në Kërçovë, aty kemi rreth 10, këtu kemi 5, 6. Kështu që pres që edhe ajo të përfundohet dhe nga vjeshta të punohet për stabilizimin edhe të asaj toke, gjegjësisht punë terreni dhe punë ndërtimore, me ç’rast i gjithë seksioni nga Kërçova deri në Ohër do të jetë i stabilizuar dhe i sigurt për vozitje. Siç tha edhe ministri, rruga ishte planifikuar pa çkyçje, pa tokë të stabilizuar, me shumë rrëshqitje e kështu me radhë, por kjo po punohet paralelisht dhe dinamika është e kënaqshme. Prandaj ne sot po bëjmë këtë inspektim për të inkurajuar kompanitë që punojnë se duhet ta përfundojnë, që të kemi lidhje autostradore dhe kjo autostradë që po ndërtohet të përfundojë më në fund pas më shumë se një dekade.
Gjithashtu dua të theksoj se me një dinamikë të pandalur po punohet edhe në tre akse të tjera të autostradave, e ato janë Tetovë–Gostivar, Gostivar–Bukojçan dhe Prilep–Manastir.
Dhe këtu do t’i shtoja ato dy thirrjet, procedurat e tenderit për dy akse të tjera të autostradës, që janë Bukojçan–Kërçovë dhe Pika Kufitare Bllacë–Shkup. Ato janë në fazën e vlerësimit, dorëzimit të ofertave financiare dhe të ngjashme.
Kështu që me të vërtetë kemi një ofensivë të madhe e cila pres të rezultojë me përfundimin dhe përmbylljen e infrastrukturës autostradore në Maqedoni.
Edhe një herë dua të falënderoj të gjitha kompanitë dhe punëtorët që punojnë në këtë pjesë ditë e natë dhe po përpiqemi ta përfundojmë sa më shpejt atë që është filluar para më shumë se një dekade.
Të falënderoj të gjithë ata që e përdorin këtë rrugë, qytetarët e Ohrit, Strugës dhe të gjithë ata që jetojnë këtu, për durimin, por e kemi patjetër ta përfundojmë. Më mirë kështu, sesa të mbetet e papërfunduar dhe të jetë një monument i një kohe.
Të falënderoj, sigurisht, edhe kryetarin e komunës së Ohrit dhe deputetët që vijnë nga rajoni i Ohrit dhe Strugës, drejtorin e Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetërore”, zëvendëskryeministrin dhe ministër i Transportit për fokusin e përditshëm që e kanë për këtë projekt.
Dhe kur e gjitha të përmbyllet, mund të them se kemi një projekt të suksesshëm që më në fund do të përfundojë pas më shumë se një dekade dhe të gjithë ne do të mund ta shfrytëzojmë.