Nga mbledhja e 142-të e Qeverisë: U miratua informata për refuzimin e kërkesës për dhënien e lejes për “Ilovicë”; u miratuan propozim-ligje për ratifikimin e marrëveshjeve për hapjen e 2 kalimeve të reja kufitare me Greqinë; ushqimi i tëpërt do të shpër

Ministria e Ekonomisë në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut njoftoi se janë përmbushur kushtet ligjore për miratimin e vendimit për refuzimin e kërkesës për dhënien e lejes për eksploatimin e lëndës  së papërpunuar – bakër dhe ar në lokalitetin “Ilovicë”, Komuna Bosillovë e EUROMAKS Resources SHPK Shkup. Në informatën që sot para Qeverisë e prezantoi Ministria e Ekonomisë, u  vërtetua se kompania nuk ka dorëzuar të gjitha dokumentet e nevojshme që kërkohen në përputhje me Ligjin për lëndë të para minerale për marrjen e lejes për eksploatim. Pas skadimit të afatit të detyrueshëm prej 15 ditësh, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të mund të marrë një vendim përfundimtar për ndërprerje të njëanshme të Marrëveshjes për koncesion Resources SHPK Shkup.

Në mbledhjen e sotme Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut e miratoi informatën për përpilimin e një ligji për donacionin e ushqimit të tepruar. Sipas kësaj informate, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe Ministria e Vetëqeverisjes Lokale janë të obliguara, ndërsa BNJVL-së i sugjerohet, që në afat prej 15 ditësh të përpilojnë qëndrim të përbashkët në lidhje me përcaktimin e konsumuesve të ushqimit që do të dhurohet, gjegjësisht përcaktimi i kritereve të cilat duhet t’i përmbushin konsumuesit e ushqimit që do të dhurohet, si dhe të marrin qëndrim të përbashkët në lidhje me monitorimin e shpërndarjes së ushqimit të tepruar deri te konsumatorët përfundimtarë. Agjencia për ushqim dhe veterinari ka afat deri më 5 gusht, deri te Qeveria të dorëzojë draft-ligj për donacionin e ushqimit të tepruar.

Një pjesë nga vendimet e mbledhjes së 142-të janë propozim-ligjet- për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Greqisë për hapjen e kalimit të ri kufitar ndërmjet dy vendeve që do t’i lidhë Majden në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Promahoi në Republikën e Greqisë. Marrëveshja është lidhur më 2 prill të vitit 2019 në Shkup, në bazë të Marrëveshjes së Prespës. Në Marrëveshje parashikohet, që dyja shtetet, në territorin e tyre të ndërtojnë, të rindërtojnë dhe mbindërtojnë rrjet rrugor adekuat, si dhe tërë infrastrukturën e duhur për funksionimin e kalimit kufitar.

Në drejtim të njëjtë u miratua edhe propozim-ligji i Marrëveshjes ndërmjet RMV-së dhe Republikës së Greqisë për hapjen e një kalimi kufitar në rajonin e Liqenit të Prespës dhe rrugët që i lidhin Markova Noga në territorin e RMV-së dhe Lemos në territorin e Republikës së Greqisë. Kalimi kufitar do të mundësojë lidhshmëri më të madhe dhe komunikim më të lehtë të qytetarëve të këtij rajoni ndërkufitar.

 

Qeveria miratoi propozim ligjin për ratifikimin e Amendamentit nga Doha e Protokollit nga Kjoto drejt Konventës Kornizë të Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike. Ndryshimet klimatike që ndodhin për shkak të koncentrimit të rritur të emetimeve të gazrave të kristalta si pasojë e aktiviteteve njerëzore të tilla: djegia e derivateve fosile, shpyllëzimi dhe rritja e emetimeve të metanit, janë një nga çështjet më të rëndësishme të shekullit 21. Si përgjigje e ndikimeve të rritura, bashkësia ndërkombëtare lidhi Konventën Kornizë të KB-së për ndryshime klimatike e cila u nënshkrua në Samitin në Rio në qershor të vitit 1992 dhe hyri në fuqi në mars të vitit 1994. Për tu përforcuar qëllimet e Konventës, në vitin 1997 u miratua Protokolli nga Kjoto drejt Konventës Kornizë të OKB-së për ndryshime klimatike, qëllimi përfundimtar i së cilës është ulja e emetimeve të gazrave të kristalta për më së paku se 5% në krahasim me nivelet në vitin 1990.

Anëtarët e Qeverisë dje miratuan edhe informatën për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor. Bazë për njohjen pa pengesë të kualifikimeve janë sistemet për cilësi në arsimin e lartë përmes zbatimit të dispozitave nga Standardet dhe drejtimet për sigurimin e cilësisë në hapësirën Evropiane të arsimit të lartë (ESG 2015), si dhe kornizat nacionale të kualifikimeve të arsimit të lartë (QF EHEA). Deklarata për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë në vendet e Ballkanit Perëndimor është pasqyrë e përcaktimeve për zbatimin e denjë të rekomandimeve të Procesit të Bolonjës, por edhe përpjekjeve për përfitimet e qytetarëve të të dyja vendeve, lëvizshmëria e të cilëve në tregun e punës dhe në arsimin e lartë do të jetë e thjeshtëzuar dhe pa pengesa.

Në mbledhjen e 142-të të Qeverisë u miratua Informata për hartimin e institucioneve dhe lokacioneve për qasje falas në WIFI. Njëkohësisht, Qeveria i obligoi të gjitha organet e administratës shtetërore, organet në përbërje dhe organizatat drejtuese, në afat prej 7 ditësh të dorëzojnë informata për lidhjen e tyre telekomunikuese, si dhe për lokacionet për qasje falas në WIFI. Gjithashtu rekomandohet që këtë ta bëjnë edhe të gjitha organet e pavarura dhe njësitë e vetëqeverisjes lokale.

Si material për informim Qeveria e RMV-së shqyrtoi informatën për nxitje dhe mbështetje të kuadrove profesionale dhe deficitare në fushën e kulturës. Sipas informatës dhe në pajtim me Programin e punës të Qeverisë së RMV-së për vitin 2019 dhe dokumentet e tjera strategjike, Ministria e Kulturës në mënyrë stimuluese dha mbështetje për përsosje profesionale të talentëve të rinj dhe kuadrove deficitare në disa fusha si: arte vizuale arkitekturë dhe dizajn  - 25, veprimtari dramaturgjike – 3, veprimtari muzikore – 14, letërsi dhe veprimtari botuese – 2, mbrojtje e trashëgimisë kulturore – 8.

Në këtë mbledhje, ministri për Sistem politik dhe raporte ndërmjet komuniteteve, Sadulla Duraku u emërua zëvendëskryetar i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.