Azizi: Janë miratuar 829 projekte me vlerë rreth 15 miliardë denarë për rrugë, shkolla, çerdhe, salla sportive dhe sisteme të ujësjellësit dhe kanalizimit

Të nderuar,

 

Në mbledhjen e 88-të të Qeverisë, e cila u mbajt dje, gjashtë ministritë resore të përfshira në nënprogramin për grantet kapitale për njësitë e vetëqeverisjes lokale – i njohur si AA, dorëzuan para Qeverisë propozim-vendime për projektet e komunave që i kishin përmbushur kushtet e përcaktuara në vetë thirrjen publike.

 

Ky nënprogram paraqet një instrument të rëndësishëm për mbështetjen e komunave dhe forcimin e tyre institucional dhe infrastrukturor, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.

 

Në kuadër të fazës së dytë, janë miratuar gjithsej 829 projekte, në vlerë prej rreth 15 miliardë denarësh, të cilat do të realizohen përmes ministrive në vijim:

Ministria e Transportit dhe Lidhjeve – mbi 8 miliardë denarë

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor – rreth 2.5 miliardë denarë

Ministria e Arsimit dhe Shkencës – rreth 1.6 miliardë denarë

Ministria e Kulturës – 622 milionë denarë

Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë – 520 milionë denarë

Ministria e Sportit – 544 milionë denarë

Me këtë, ne vazhdojmë ta mbështesim në mënyrë të vazhdueshme çdo komunë që i ka përmbushur kushtet sipas thirrjes publike, pa marrë parasysh përkatësinë politike të udhëheqjes komunale. Për ne, më të rëndësishëm janë qytetarët, mirëqenia e tyre dhe krijimi i kushteve më të mira për jetë në çdo pjesë të shtetit.

Përmes kësaj mbështetjeje do të realizohen projekte për ndërtim dhe rindërtim të:

rrugëve

sistemeve të ujësjellësit dhe kanalizimeve

shkollave, çerdheve dhe sallave sportive

pishinave dhe infrastrukturës publike me rëndësi jetike

Interesimi ka qenë jashtëzakonisht i lartë, si për thirrjen e parë, ashtu edhe për të dytën.

Gjithashtu, ju kujtojmë se në kuadër të thirrjes së parë publike, u ndanë 4.1 miliardë denarë për 274 projekte, një pjesë e të cilave janë tashmë të realizuara, ndërsa të tjerat janë në proces realizimi.

Të nderuar,

Ky është edhe një hap historik në forcimin e vetëqeverisjes lokale – një proces që është dhe do të mbetet një nga shtyllat themelore të politikës zhvillimore të kësaj Qeverie.

Po i ndërtojmë themelet e ndryshimeve, për kohën tënde që po vjen.

Ju faleminderit