Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, me propozim të Trupit Koordinues për ndjekjen e procedurave të arbitrazhit, u miratua informacioni me të cilën konstatohet se në tërësi janë refuzuar paditë kundër shtetit në rastin e njohur si KAZANDOLL dhe me këtë është realizuar kursim i mjeteve buxhetore të qytetarëve në shumë totale prej 115.000.000 euro. Tribunali i arbitrazhit ka sjellë aktgjykim më 21 korrik 2025 me të cilin konstatoi se të gjitha kërkesat paditore janë të pabazuara dhe i hodhi poshtë ato plotësisht.
Përveç kësaj, në mbledhjen e sotme të Qeverisë, me propozim të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale u miratua Informata për fillimin e aktiviteteve për ngritjen e Qendrës së Resurseve për mbështetje të zhvillimit të komunave. Për këtë qëllim, Qeveria e Konfederatës Zvicerane, e përfaqësuar nga Departamenti Federal për Punë të Jashtme, përmes Ambasadës së Zvicrës në Republikën e Maqedonisë, Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (Ambasada e Zvicrës) dhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, e përfaqësuar nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale (MVL), do të nënshkruajnë aneksin 4 të Marrëveshjes për zbatimin e Projektit “Zhvillim rajonal i qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës – faza 2”. Qendra e Resurseve për mbështetje të komunave do të konceptohet si mekanizëm institucional i cili do të mundësojë mbështetje afatgjate, të qëndrueshme dhe profesionale për komunat në Maqedoni, përmes ofrimit të shërbimeve të specializuara në fushën e menaxhimit administrativ, planifikimit të zhvillimit strategjik lokal/rajonal, përgatitjes së dokumentacionit teknik dhe planifikimit kapital, planifikimit dhe menaxhimit financiar, ekspertizës teknike, forcimit të bashkëpunimit ndërkomunal, përgatitjes së aplikacioneve për projekte dhe shfrytëzimit të fondeve ndërkombëtare.
Qeveria mbetet e përkushtuar në zbatimin e politikave dhe vendimeve të saj në interes të qytetarëve dhe shtetit.