Nga mbledhja e 152-të e Qeverisë së RMV-së: U miratua Platforma Nacionale për uljen e rreziqeve nga fatkeqësitë; U miratua Protokolli për bashkëpunim në fushën e bujqësisë me Mbretërinë Hashemite të Jordanisë; U miratua rebalanci i Buxhetit për vitin 2019

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot mbajti mbledhjen e saj të rregullt të 152-të në të cilën miratoi informata dhe solli vendime për më shumë pika në rend të ditës si pjesë e Programit të saj të punës. 

 

Në mbledhje, Qeveria e RMV-së miratoi rebalancin e Buxhetit për vitin 2019 me të cilin, mes të tjerash, ndahen mjete si mbështetje të biznesit për pagesën e pagave më të larta si dhe investime të drejtpërdrejta për nevojat dhe potencialet e njerëzve. 

 

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut miratoi Platformën Nacionale për uljen e rreziqeve nga fatkeqësitë. Platforma nacionale për uljen e rreziqeve nga fatkeqësitë është dokument i cili në mënyrë sistematike nxit dhe  obligon subjektet e sistemit për menaxhim me kriza, mbrojtje dhe shpëtim, të veprojnë në mënyrë më të organizuar dhe efektive për paralajmërim të hershëm, parandalim, ulje dhe rehabilitim të pasojave nga fatkeqësitë e mundshme. Me këtë Platformë, Qeveria i parashtron dhe i zhvillon sistemet dhe standardet për parandalimin dhe uljen e pasojave nga fatkeqësitë, duke i përdorur mënyrat dhe kapacitetet profesionale, veçanërisht detyrimet të cilat dalin nga rezolutat e shumta të OKB-së, kornizat ndërkombëtare, direktivat e BE-së lidhur me mbrojtjen civile, standardet e NATO-s dhe përvojat krahasuese nga shtetet e tjera dhe organizatat ndërkombëtare dhe asociacionet. 

 

Në këtë mbledhje Qeveria e RMV-së shqyrtoi dhe miratoi Informatën për nënshkrimin e Protokollit për bashkëpunim në fushën e bujqësisë ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave të RMV-së dhe Ministrisë së Bujqësisë të Mbretërisë Hashemite të Jordanisë dhe autorizoi ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Trajan Dimkovski të nënshkruajë Protokollin. 

 

Ministrat e shqyrtuan informatën për njohjen me problemet dhe nevojat e fakulteteve teknike të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” dhe sollën vendim të formohet grup punues në të cilin do të marrin pjesë më tepër ministri, i cili deri më 1 tetor duhet të paraqesë informatë me propozim konkluzione konkrete të cilat do të vlejnë për të gjitha universitetet shtetërore si dhe për degët deficitare të tregut të punës.  

 

Kjo informatë dhe konkluzionet të pranuara në mbledhje, erdhën si rezultat i takimit të zëvendëskryetarit të Qeverisë së RMV-së dr. Koço Angjushev, ministrit të Arsimit dhe Shkencës Arbër Ademi dhe zëvendësministres të financave dr. Shiret Elezi, të cilët mbajtën mbledhje me përfaqësues nga të gjitha fakultetet teknike pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” me përfaqësuesit e Fakultetit të Makinerisë, Fakultetit të Arkitekturës, Fakultetit të Ndërtimtarisë, Fakultetit të Teknologjisë dhe Metalurgjisë, Fakultetit të Elektroteknikës dhe Teknologjive të Informacionit dhe Fakultetit të Shkencave Informatike dhe Inxhinieri Kompjuterike, ku u shqyrtuan mundësitë për tejkalimin e mungesës së kuadrit të lartë profesional, për zgjidhjen e pagave të ulëta të stafit teknik, për përmirësimin e kushteve për mbajtjen e mësimit lëndor me pajisje adekuate në laboratorët teknik.   

 

 

Qeveria e RMV-së shqyrtoi dhe miratoi Informatën për progresin e aktiviteteve për furnizim publik të pajisjes mjekësore për nevojat e IPSH-Klinika Universitare për Kardiologji. 

 

Në këtë mbledhje u shqyrtua dhe u miratua Informata me Iniciativë për bashkim-centralizim të aktivitetit të Onkologjisë dhe Radioterapisë në kuadër të IPSH  KU për Radioterapi dhe Onkologji-Shkup, për formimin e reparteve rajonale në SPQ “8 Shatori” – Shkup, Spitali Klinik Shtip dhe Spitali Klinik Manastir, si dhe në qytetet tjera në vend dhe u ngarkua Ministria e Shëndetësisë të dorëzojë Plan Veprimi për realizimin e Iniciativës me hapa konkrete, afate dhe modalitete juridike.

 

Agjencia për Promovimin dhe Mbështetjen e Turizmin paraqiti Informatë deri te Qeveria e RMV-së me rekomandime për trajnime deri te të gjitha institucionet shtetërore me qëllim të përforcimit të turizmit në vend.

 

Në rekomandime theksohet se trajnimet dhe të gjitha ngjarjet e tjera që organizohen me profile të ndryshme të qytetarëve dhe të të punësuarve në sektorin administrativ, të cilët i takojnë kuadrit të buxhetit, duhet të organizohen në destinacione në vendin tonë, me qëllim të mbështetjes së bizneseve turistike lokale dhe rritjen e frymës sipërmarrëse të vendit.  Krahas kësaj, një nga përfitimet e rëndësishme është fakti që mjetet e ndara për realizim të trajnimeve dhe ngjarjeve të ndryshme do të mbeten në kuadër të buxhetit të vendit.

 

Qeveria shqyrtoi Informatën për gjendjen me furnizimin e lokomotivave për nevojat e Hekurudhave të RMV-së-Transport SHA Shkup, me arsyetim juridik dhe teknik se pse është porositur vetëm një nga 4 lokomotivat e kontraktuara në kuadër të huas nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe për gjendjen momentale me garniturat për udhëtim me arsye të parashtruara, se pse nuk është bërë pranim teknik. Qeveria i obligoi Organet për menaxhim të Hekurudhave të RMV-së Transport SHA Shkup, të formojnë Komision intern i cili në mënyrë të detajuar do të shqyrtojë dhe do të paraqesë gjendjen nga aspekti juridik dhe teknik, me kronologji të ngjarjeve dhe të angazhojë ndihmë juridike nga një person i jashtëm, me eksperiencë në arbitrazhe, i cili në bazë të dokumentacionit të tërësishëm do të mund t’i jep udhëzime Qeverisë për mundësitë juridike që të përpilojë Plan Veprimi dhe Strategji mbi veprimin e mëtutjeshëm për furnizimin e parealizuar.