Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e sotme solli ndryshime dhe plotësime të programeve dhe dekreteve, me të cilat bujqve për herë të parë në vend u mundësojnë që të marrin parapagim të subvencioneve.
Bëhet fjalë, siç sqaron propozuesi, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, për pagesë të hershme, gjegjësisht parapagesë të subvencioneve sipas programeve për vitin aktual, në përputhje të modelit të ri të subvencionimit të vendosur nga Qeveria.
Gjegjësisht, të gjithë 40.000 bujq që kanë fituar të drejtën e subvencionimit, do të marrin parapagesë prej 30 për qind të subvencioneve, gjatë javës së ardhshme.
Qeveria ka mbështetur edhe shtyrjen e afatit për aplikim në Agjencinë për Mbështetje Financiare të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, për shtesën prej 70 për qind të subvencioneve, të cilat sipas modelit të ri të subvencionimit, kanë të bëjnë me paraqitjen e sasisë së prodhimit nga ana e bujqve.
Afati i paraqitjes deri më 25 dhjetor është shtyrë deri më 30 dhjetor. Sipas prodhimit të paraqitur të sasive, në fillim të vitit do të bëhen përllogaritjet për pagesën shtesë të subvencioneve të bujqve që u takon.
Në përputhje të vendimeve të Qeverisë të marra sot, parapagesë prej 30 për qind të subvencioneve do të marrin edhe vreshtarët, diçka që nuk ka ndodhur më parë. U bë e mundur që me modelin e ri të vendosur për subvencione, të ketë mbështetje në kohë për mbjellat e vreshtave, atëherë kur vreshtarët kanë më shumë nevojë.
Më konkretisht, e gjithë kjo parashikohet me këtë të miratuar sot: Dekreti për ndryshimin dhe plotësimin e Dekretit për kriteret më të afërta për pagesat e drejtpërdrejta, përfituesit e mjeteve, shumat maksimale dhe mënyra e pagesave të drejtpërdrejta për vitin 2023; Programi për plotësimin e Programit për mbështetje financiare në bujqësi për vitin 2023; Programi për ndryshimin dhe plotësimin e Programit për mbështetje financiare në prodhimtarinë bujqësore organike për vitin 2023; Programi për ndryshimin e Programit për nxitjen e konsumit të pemëve për vitin 2023 dhe Programi për ndryshimin e Programit për zbatimin e fondit të ndërhyrjes për bujqësinë për vitin 2023.
Qeveria në mbledhjen e sotme miratoi edhe Vendim për rishpërndarjen e mjeteve nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2023, konkretisht nga Agjencia për Rini dhe Sport për Komunën Qendër.
Bëhet fjalë për 30.000.000 denarë, të cilat në përputhje me vendimin e Qeverisë, janë të destinuara për rindërtimin e sallës sportive “Rabotniçki” – Parku i Qytetit, Komuna Qendër, në Shkup.
Agjencia për Rini dhe Sport është e obliguar që t'i transferojë mjetet në llogarinë e veçantë të dedikuar të Komunës Qendër.
Sipas vendimit të Qeverisë, mjetet e rishpërndara për Komunën Qendër janë ekskluzivisht për qëllimin për të cilin janë ndarë, gjegjësisht për rindërtimin e sallës sportive “Rabotniçki” – Parku i Qytetit, komuna e Qendrës.