Qeveria e Republikës së Maqedonisë, në mbledhjen e sotme të 109-të, e miratoi Propozim - Buxhetin e plotësuar të Republikës së Maqedonisë për vitin 2019, në përputhje me amendamentet që dalin nga debati për buxhetin në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.
Në përputhje me amendamentet që u sollën nga shumica në pushtet dhe nga opozita në debatin për amendamentet në Kuvend, në Propozim-buxhetin për vitin 2019 u bënë ndryshime në shumat e buxhetit në programet për mbrojtjen e mjedisit jetësor, duke u përqendruar rreth masave për ajër të pastër, infrastrukturës lokale dhe për programet për zhvillimin e rajoneve të planifikuara, si dhe për rritjen e mbështetjes së Buxhetit për punën e disa ministrive, agjencive, drejtorive dhe organeve të tjera të administratës shtetërore.
Ndërhyrje përkatëse, pas debatit të amendamenteve në Kuvend për shumat shtesë të buxhetit, u bënë edhe për një pjesë të programeve të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë u përcaktuan edhe udhëzimet për nivelimin e pagave në kulturë, për të cilat aktivitetet duhet filluar nga muaji janar 2019, në përputhje me dinamikën e Buxhetit në vitin e ardhshëm.
Të ardhurat e përgjithshme të Buxhetit të Republikës së Maqedonisë për vitin 2019 janë planifikuar në nivel prej 228,5 miliardë denarë. Të ardhurat dhe shpenzimet e planifikuara në këtë mënyrë rezultojnë në reduktimin e deficitit të buxhetit në nivel 25% të PBB ose 17,7 miliardë denarë në shumë absolute.
Deficiti i planifikuar është në përputhje me Strategjinë fiskale të Republikës së Maqedonisë 2019-2021, i cili në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë u miratua si informacion dhe i cili së bashku me propozimin përfundimtar të plotësuar për Buxhetin për vitin 2019, do të dërgohet për miratim në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.