Në mbledhjen e 128-të të rregullt, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut e shqyrtoi dhe e aprovoi informatën për mbështetjen e projekteve infrastrukturore të financuara nga Programi për mbështetje financiare të zhvillimit rural për vitin 2018.
Në përputhje me këtë informatë për programin i cili zbatohet vazhdimisht për shumë vite, Agjencia për Mbështetje Financiare të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të realizojë pagesën e projekteve të aprovuara në thirrjen publike për vitin 2018, të cilat parashohin përmirësimin e cilësisë së jetës në mjediset rurale për investime në infrastrukturën rrugore lokale, me përfshirjen e urave, sistemeve për ujësjellës dhe kanalizime dhe për modernizimin e objekteve të tregjeve për prodhime bujqësore, si dhe objekte për shtëpi të fëmijëve dhe të rinjve dhe shtëpi të kulturës.
Programi për mbështetje financiare të zhvillimit rural përfshin edhe projekte për rindërtimin dhe zhvillimin e fshatrave, si dhe projekte për ruajtjen dhe avancimin e vlerave tradicionale në zonat rurale.
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut e shqyrtoi dhe e aprovoi Informatën për realizimin e projektit “Rindërtim i objekteve për doganim dhe për organe të inspektimit në kalimin kufitar Qafë Thanë” dhe përfundoi se në përputhje me kohën e paraparë për realizim , janë përfunduar të gjitha punët ndërtimore dhe se projekti është realizuar në tërësi.
Projekti “Rindërtim i objekteve për doganim dhe për organe të inspektimit në kalimin kufitar Qafë Thanë” financohet nga Programi IPA dhe Buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut në shumë të përgjithshme prej 1.48 milion euro, të cilat janë një grant dhe mbi 300.000 euro nga Buxheti. Ky terminal i ri do të kontribuojë në rritjen e hapësirës së kalimit për dërgesat e mallrave, për shkurtimin e kohës së nevojshme për kryerjen e formaliteteve kufitare, i cili dukshëm do ta përmirësojë infrastrukturën për përdorimin e mjeteve bashkëkohore të inspektimit.
Në këtë mbledhje Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut e shqyrtoi dhe e aprovoi Informatën për progresin në zbatimin e Projektit për përmirësimin e shërbimeve komunale në janar të vitit 2019.
Qëllimi kryesor i Projektit për përmirësimin e shërbimeve komunale është përmirësimi i i transparencës, qëndrueshmërisë financiare dhe cilësisë së shërbimeve komunale në komunat pjesëmarrëse në Projektin, përmes sigurimit të mbështetjes financiare për realizimin e projekteve kapitale infrastrukturore.
Në këtë mbledhje Qeveria e miratoi vendimin për dhënien e mjeteve nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2019 të dedikuara për raundin e parë të fushatës të zgjedhjeve presidenciale, me kërkesë të Komisionit Shtetëror Zgjedhor në shumë prej 100 milionë denarë.
Në këtë mbledhje Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut e aprovoi Planin Kombëtar Operativ Brodbend për qasje në shërbime më të shpejta dhe më cilësore në internet, në përputhje me standardet e BE-së.
Duke i marrë parasysh këto kritere të BE-së, si dhe investimet e ardhshme të paralajmëruara të operatorëve në tre vitet në vijim, objektivat kombëtare broadband për Republikën e Maqedonisë së Veriut vërtetojnë se deri në fund të 2023, të paktën një qytet do të mbulohet me sinjal 5G dhe deri në fund të vitit 2025, korridoret kryesore në përputhje me Marrëveshjen për themelimin e unionit të transportit në rrjetin themelor gjithëpërfshirës në shtet, duhet të mbulohen me sinjal të pandërprerë 5G.
Në Planin Kombëtar Operativ Brodbend planifikohet se deri në fund të vitit 2027, të gjitha qytetet në shtet do të mbulohen me sinjal të pandërprerë 5G dhe se deri në fund të vitit 2029, çdo qytetar i vendit tonë do të ketë mundësi për qasje në internet përmes 5G me shpejtësi minimale të qasjes në internet me së paku 100 Mbps.
Deri në fund të vitit 2029, të paktën 50% e numrit të përgjithshëm të kontratave të parapaguesve të amvisërive në gjithë shtetin, të jenë të kapshëm në internetit së paku me 100 Mbps, të gjitha amvisëritë të kenë mundësi për qasje në rrejt që mundëson shpejtësi për download së paku 100 Mbps me mundësi për rritje të shpejtësisë gigabite me çmime të volitshme dhe se të gjitha institucionet publike (shkolla, universitete, qendrat hulumtuese dhe institucionet të tjera arsimore, institucione shëndetësore, ministri, gjykata, vetëqeverisje lokale dhe organe të tjera shtetërore), të kenë qasje simetrike në internet me shpejtësi të paktën 1 Gbps.