Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e 38-të lejoi regjim të posaçëm të lëvizjes për personat me aftësi të kufizuara.
Për këta qytetarë nuk do të vlejë ndalimi i lëvizjes në periudhën prej orës 19:00 deri në orën 20:00, nga dita e hënë deri të premten, ndërsa gjatë ditëve të fundjavës prej orës 11:00 deri në orën 13:00.
Kjo masë për lejim të lëvizjes së personave me aftësi të kufizuara ka të bëjë edhe për personat që i shoqërojnë këta qytetarë gjatë kohës së lejuar të lëvizjes në periudhat kohore të caktuara.
Në këtë mbledhje ministrat në Qeveri e shqyrtuan dhe e miratuan informacionin për kërkesat që i plotësojnë kriteret e Thirrjes publike nr. 1 për kredi nga Linja për kredi të Fondit Special për Kredi (FSK) me qëllim uljen e pasojave nga virusi korona COVID-19.
Qeveria e angazhoi Bankën Zhvillimore të Maqedonisë së Veriut SHA të lidh marrëveshje për kredi me kërkuesit e kredive të cilët i plotësojnë kushtet dhe kriteret për kredi pa interes. Sipas informacionit të Bankës Zhvillimore të Maqedonisë së Veriut, nga kërkesat e përpunuar, kushtet i kanë plotësuar 136 kompani me 1.737 të punësuar, ndërsa të njëjtëve u miratohen kredi pa interes me vlerë totale prej 1.263.079 euro.
Nga këto 136 kompani – kandidatë, 96 % janë kompani me deri në 10 të punësuar dhe deri në 50 të punësuar, që tregon se fondet nga linja pa interes Kovid1 në mënyrë parësore do të arrijnë deri te kompanitë mikro dhe të vogla.
Dorëzimi i Informacioneve me aplikime të përpunuara për kredi të cilat i plotësojnë kushtet deri në Qeveri do të zhvillohet rregullisht, në nivel javor, deri sa nuk shpenzohen në tërësi fondet nga linja kreditore Kovid1, gjegjësisht Linja kreditore nga FSK-ja, me qëllim uljen e pasojave nga virusi korona COVID-19.
Më së voni deri në fund të javës Banka Zhvillimore do të kontaktojë me të gjitha kompanitë, aplikimet kreditore e të cilëve u miratuan në Mbledhjen e sotme të Qeverisë për realizimin e marrëveshjeve për kredi.
Qeveria sot miratoi Dekret me fuqi ligjore për ndryshimin dhe plotësimin e dekretit me fuqi ligjore për zbatimin e Ligjit për punë të brendshme gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së jashtëzakonshme me të cilin provimi për policët stazhierë dhe për të punësuar me statusin stazhierë, konsiderohet si i kaluar.
Në këtë mënyrë, pjesëtarët e MPB-së fitojnë përforcim prej 544 policëve dhe 100 inspektorëve të cilët do të shpërndahen në vende të punës në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të cilët me autorizime të tërësishme do të mund të veprojnë.
Qeveria miratoi Dekretin me fuqi ligjore për zbatimin e Ligjit për kryerjen e sanksioneve gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, sipas të cilit anulohet kryerja e akteve të referimit për kryerjen e dënimit me burg të personave të dënuar me burg deri në tre vite dhe me atë deri më 1 shtator të vitit 2020, përveç për lëndët ku ekziston rreziku për vjetërsimin e dënimit.
Gjithashtu, deri më 1 shtator të vitit 2020 anulohet kryerja e akteve të referimit të cilat veçse janë dorëzuar deri tek institucionet ndëshkimore, përveç akteve të referimit për të cilat janë lëshuar urdhër-arreste ndërkombëtare. Ndërsa personat të cilët gjenden në masë paraburgim pas hyrjes në fuqi të aktgjykimit menjëherë të dërgohen në vuajtje të dënimit me burg. Propozim Dekreti ka të bëjë me mbrojtjen nga përhapja e sëmundjes COVID-19 (virusi korona) në institucionet ndëshkimore.
Në këtë mbledhje u miratua edhe Dekreti me fuqi ligjore për plotësimin e Dekretit me fuqi ligjore për zbatimin e Ligjit për noterët gjatë gjendjes së jashtëzakonshme në vend në pjesën e obligimit të mbajtjes së provimeve për noterë, me dispozita për vazhdimin e mandatit të organeve të Odës së Noterëve.
Me propozim të Ministrisë së Drejtësisë, Qeveria miratoi Dekret me fuqi ligjore për zbatimin e Ligjit për shërbim gjyqësor gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, me të cilën të punësuarit në shërbimin gjyqësor të cilët janë të angazhuar gjatë kohëzgjatjes së masave të përkohshme për mbrojtje të përhapjes dhe parandalimit nga virusi korona COVID-19, pjesën e pashfrytëzuar të pushimit vjetor nga viti 2019 mund ta shfrytëzojnë deri më 31 maj të vitit 2020, sipas nevojave të procesit të punës dhe në bazë të aprovimit të kryetarit të gjyqit.
Të punësuarve në shërbimin gjyqësor të cilët janë të liruar nga kryerja e punës dhe detyrave të punës, në përputhje me masat për mbrojtje nga përhapja dhe parandalimi i virusit korona COVID-19, pjesa e pashfrytëzuar e pushimit nga viti 2019 u konsiderohet si i shfrytëzuar.
Të njëjtat dispozita për shfrytëzimin e pushimit vjetor, Qeveria i solli edhe në Dekretin me fuqi ligjore për zbatimin e Ligjit për shërbim të prokurorisë publike gjatë gjendjes së jashtëzakonshme.
Është jo-mirënjohëse të spekulojmë me numra për punonjës të pushuar nga puna si pasojë e krizës me COVID-19, sepse çdo pushim nga puna nuk do të thotë se lidhet me korona krizën. Në Agjencinë për Punësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut, çdo ditë ndodhin ç’lajmërime dhe lajmërime, por ata nuk mund të na japin përgjigjen e saktë, sepse dikush që ka mbetur pa punë sot në një kompani, mund pas dy ditësh të punësohet në vend tjetër dhe kjo nuk është humbje e punës.