Në vazhdim të mbledhjes së 60-të që u mbajt dje, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përputhje me rekomandimet e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse, me qëllim reagim sa më të shpejtë dhe efikas për parandalimin e përhapjes së virusit korona, solli vendim që të ndalohet në tërësi lëvizja e të gjithë qytetarëve në Shkup (të gjitha komunat e Shkupit), Kumanovë, Likovë, Shtip, Karbincë, Tetovë, si dhe Bogovinë, Bërvenicë, Tearcë, Zhelinë dhe Jegunoc, duke filluar nga e enjtja (4 qershor) në orën 21:00 deri të hënën (8 qershor) në orën 05:00.
Në të gjitha qytetet tjera, ndalohet lëvizja e të gjithë qytetarëve nga e enjtja (4 qershor) prej orës 21:00 deri të premten (5 qershor) në orën 05:00 të mëngjesit, ndërsa të premten, të shtunën dhe të dielën, në këto qytete ndalesa fillon nga ora 16:00 dhe vazhdon deri ditën e ardhshme në orën 05:00 të mëngjesit.
Dita e premte (5 qershor) shpallet si ditë jo pune për të gjithë qytetarët.
Në periudhën nga dita e enjte (4 qershor) në orën 21:00, deri të hënën (8 qershor) në orën 05:00 të mëngjesit, ndalohet vizita e varrezave në territorin e tërë shtetit, përveç për varrime.
Këto ndalesa nuk vlejnë për aktivitetet bujqësore, për të cilat është e lejuar lëvizja në kuadër të territorit (pjesës) së fshatrave, vetëm për nevoja pune.
Gjatë periudhës për të cilën është marrë ky vendim për ndalesën e lëvizjes, barnatoret do të punojnë pandërprerë, ndërsa Ministria e Shëndetësisë do të përpilojë plan për punë të pandërprerë të institucioneve shëndetësore.
Përjashtimet nga ndalesa e lëvizjes vlejnë edhe për policinë, armatën, punonjësit shëndetësor (në Instituti i Shëndetit Publik dhe Instituti i Shëndetit Privat, si dhe mjekët amë) dhe për marketet dhe restorantet që kryejnë dërgesën e produkteve, të cilët angazhimet e tyre do ti realizojnë pandërprerë,
Vazhdojnë të vlejnë të gjitha lejet e dhëna për lëvizje, të cilat janë dhënë gjatë ndalesave të mëparshme, veçanërisht për operatorët ekonomikë dhe për punën e organizuar në ndërrime.
Ndalesa e lëvizjes nuk vlen për personat me aftësi të kufizuara dhe shoqëruesit e tyre, në rast se posedojnë dokumentacion adekuat.
Shëtitja e kafshëve shtëpiake do të vazhdojë të jetë në terminet veç më të njohura: 08:00 deri në 08:30, 15:00 deri në 15:30 dhe 20:00 deri në 20:30.
Në mbledhjen e djeshme, Qeveria e miratoi informacionin për programimin e mjeteve nga BE-ja si shpërblim për sukses për vitin 2020 për ballafaqimin me pasojat nga pandemia me virusin korona, shpërblim i cili në vlerë prej 50 milionë eurove shpërndahet në dy pako financiare, gjegjësisht në dy Dokumente për veprim edhe atë 40 milionë euro për rimëkëmbje socio-ekonomike nga pasojat e COVID-19, 5 milionë euro për mbështetjen e sistemit shëndetësor dhe 5 milionë euro për mbështetje të procesit të negociatave dhe të aderimit, si dhe për përforcimin e kapaciteteve për menaxhim me fondet e BE-së.
Në këtë mbledhje, Qeveria e miratoi Vendimin për dërgimin e pjesëtarëve të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut për pjesëmarrje në operacionin paqësor të Organizatës së Kombeve të Bashkuara “UNIFIL” në Republikën e Libanit.