Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen 8-të , e miratoi propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e Buxhetit për vitin 2020 dhe solli përfundim t'ia dorëzojë për miratim Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.
Në përputhje të treguesve financiar, parashikimet tregojnë se deficiti në Buxhet do të jetë 8.4 për qind për shkak të rritjes së anës së shpenzimeve, në të cilën me përqindje më të madhe marrin pjesë masat për zbutjen e pasojave ekonomike të shkaktuara nga pandemia KOVID -19.
Ana e të ardhurave të Buxhetit mbetet e pandryshuar, ndërsa deficiti i pritur do të mbulohet me huamarrje në tregun e brendshëm.
Me rebalancin e Buxhetit nuk janë paraparë kurrfarë implikimesh lidhur me transferimet sociale dhe pensionet dhe ato do të paguhen rregullisht
Të gjitha masat e katër pakove (1, 2, 3 dhe 4) për mbështetje të ekonomisë dhe qytetarëve në kushte të krizës shëndetësore- ekonomike do të realizohen në përputhje të planeve deri në fund të vitit për likuiditetin e ekonomisë, përmes likuiditetit të kompanive dhe rritjes së shpenzimeve publike.
Me shkurtimin shtesë të kostove joproduktive dhe rialokimin e fondeve në Buxhet do të ruhet përmbushja e detyrimeve, siç janë, pagesa e rregullt e borxheve të mbetura dhe subvencioneve, veçanërisht në programet për zhvillim rural, arsim, mbrojtje të mjedisit jetësor dhe projekte të tjera ekologjike, si dhe realizim i projekteve kapitale.
Në mbledhjen e sotme me propozim të Ministrisë së Financave u miratua Propozim- ligji për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për kthimin e një pjese të Tatimit të vlerës së shtuar personave fizik.
Me ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kthimin e një pjese të Tatimit të vlerës së shtuar personave fizik, gjatë kohës së gjendjes së jashtëzakonshme (shpallur në "Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut" Nr. 133, nga 28.06.2019) krijohet mundësi që personat fizik të cilët janë paraqitur dhe janë përdorues të softuerit aplikativ të Drejtorisë për të Ardhurat Publike përmes të cilit paraqiten llogaritë fiskale, me qëllim kthimin e TVSH-së për llogaritë fiskale të lëshuara më 10, 11 dhe 12 tetor, t’u kthehet shuma e plotë e tatimit të vlerës së shtuar.
Për shkak të inkurajimit të qarkullimit të produkteve dhe shërbimeve vendore, si dhe për shkak të rritjes së digjitalizimit të shoqërisë sonë, kthimi i tërë shumës së TVSH-së do t’i referohet qarkullimit të produkteve dhe shërbimeve vendore, si dhe pajisjeve kompjuterike e cila nuk tejkalon 30,000 denarë për person për të gjithë llogaritë fiskale të lëshuara më 10, 11 dhe 12 tetor të vitit 2020.
Në këtë mbledhje Qeveria i miratoi konkluzionet nga mbledhja e Komisionit për Sëmundje Infektive pranë Ministrisë së Shëndetësisë, të mbajtur më 04.10.2020, me propozim masa për parandalimin e përhapjes së virusit korona KOVID-19.
Me qëllim të uljes së rrezikut nga shfaqja dhe përhapja e KOVID-19, Qeveria pranoi dhe rekomandoi masat kufizuese të Komisionit si në vijim:
∙ Nuk lejohet prania e këngëtarëve/ grupeve muzikore/ Di-xhejëve në objektet hotelerike që shërbejnë pije dhe ushqim, përfshirë edhe pjesën e restoranteve të objekteve hotelerike për akomodim (hotele/motele),
∙ Kufizohet niveli maksimal i zhurmës në objektet hotelerike në 55 decibel.
∙ Në Protokollin për hapjen dhe punën e objekteve hotelerike dhe Protokollin për hapjen dhe punën e kafeneve kufizohet numri i lejuar maksimal i personave në një tavolinë në 4 persona. Ndërsa në Protokollin për hapjen dhe punën e objekteve të hotelerike, pika 6 fshihet dhe zëvendësohet me “numri maksimal i personave në një tryezë kufizohet në 4 persona”, ndërsa në Protokollin për hapjen dhe punën e kafeneve shtohet pikë e re: “numri maksimal i personave në një tryezë kufizohet në 4 persona”.
∙ Komisioni vuri në dukje dhe Qeveria pranoi respektimin rigoroz të pikës 3. Nuk lejohet të shërbehen mysafirë që qëndrojnë në banak dhe tavolina si në Protokollin për hapjen dhe punën e objekteve hotelierike, ashtu dhe në Protokollin për hapjen dhe punën e kafeneve.
∙ Qeveria gjithashtu pranoi pohimin e Komisionit për nevojën e respektimit të rreptë të ndalimit të punës në klubet e natës dhe diskotekat dhe nevojën për marrjen e masave rigoroze nga institucionet kompetente në rast të shkeljes së ndalimit.
Qeveria gjithashtu e miratoi rekomandimin e Komisionit për hapjen e kuzhinave shkollore për fëmijët me qëndrim të zgjatur ditor me respektim të plotë të rregullave për praktikë të mirë prodhuese dhe higjienike të përcaktuar me Ligjin për siguri të ushqimit, si dhe standardet HASSP dhe Protokollet për mbrojtje nga KOVID -19, me vërejtje që shërbimi i vakteve të realizohet në tryezat e shkollës duke mbajtur llogari që të mos vjen deri te përzierja e nxënësve nga paralele të ndryshme.
Në këtë mbledhje, Qeveria miratoi Propozim-programin për ndryshimin e programit për realizimin dhe zhvillimin e veprimtarisë në standardin studentor për vitin 2020 për rishpërndarjen e fondeve në vlerë prej 106,000,000.00 të destinuara për standardin studentor, gjegjësisht për shlyerjen e kostove për funksionimin aktual të konvikteve studentore për sa i përket shpenzimeve për ngrohje, energji elektrike, konsum të ujit dhe kosto të tjera.
Ministrat në Qeveri sot miratuan edhe Raportin për punën e Komisionit për shqyrtimin e kërkesave të paraqitura nga themeluesi i shkollës për organizimin e orës me prani fizike, për periudhën prej 29.09.2020 deri më 2.10.2020.
Raporti i Komisionit në tërësi është publikuar në ueb faqen e Qeverisë në linkun vijues: https://vlada.mk/sites/default/files/dokumenti/izvestaj_2102020.pdf