Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot do të mbajë mbledhjen e saj të rregullt të 67-të, me më shumë pika në rendin e ditës nga Programi i saj për punë dhe në interes të qytetarëve.
Në mbledhjen, e cila do të fillojë në orën 12:00, ministrat do të diskutojnë sipas Procesverbalit nga mbledhja e 34-të e Shtabit Kryesor Koordinues të Krizës për sigurim, koordinim të tërësishëm në lidhje me parandalimin e sjelljes dhe përhapjes së virusit korona COVID-19, e mbajtur më 26 prill të vitit 2021.
Me propozim të Sekretariatit të Përgjithshëm, në mbledhjen e sotme do të shqyrtohet Propozim-vendimi për përcaktimin e prioriteteve strategjike të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut në vitin 2022, që përfshihen në Programin vjetor dhe Buxhetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në rendin e ditës për shqyrtim në mbledhjen e rregullt është edhe Draft-raporti vjetor për ndjekjen e implementimit të Planit të veprimit për vitin 2020 nga Programi për reforma në menaxhimin me financat publike për periudhën janar-dhjetor viti 2020, si dhe Draft-plani i veprimit për implementimin e Programit për reforma për menaxhim me financat publike për vitin 2021, të propozuara nga Ministria e Financave.
Në këtë mbledhje Qeveria do të përcaktojë tekstin e Propozim-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për planifikim urbanistik.
Agjencia për Rini dhe Sport në mbledhje do t’i prezantojë informacionet për projektin “Investim në qendra rinore, infrastrukturore dhe të programit”, për regjistrin e organizatave rinore, si dhe Informacionin për gjithëpërfshirjen e personave me aftësi të veçanta në të gjitha segmentet e sportit.
Për vendimet dhe konkluzat e miratuara nga mbledhja e 67-të, e cila do të mbahet përmes video-konferencës, opinioni do të njoftohet përmes kumtesës menjëherë pas përfundimit të saj.