Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e sotme tematike të 78-të, i shqyrtoi dhe i miratoi informacionet në lidhje me kyçjen e kontratave për rregullimin e të drejtave dhe detyrimeve të ndërsjella ndërmjet 23 komunave për realizimin e projekteve për qytetarët, me vlerë të përgjithshme prej 609,9 milionë denarë ose 9,9 milionë euro.
Këto janë vetëm pjesë e mjeteve dhe projekteve të siguruara me vendim të Qeverisë për rialokimin e parave nga koncesionari TAV, të cilat ishin dedikuar për ndërtimin e një kargo-aeroporti në Shtip, ndërsa tani me to do të financohen projekte në komuna në të gjithë vendin dhe do të zgjerohen kapacitetet e ndërtesave të aeroportit në Shkup dhe Ohër.
Është paraparë që gjithsej, 75 komuna të realizojnë 99 projekte infrastrukturore, për të cilat janë paraparë 35 milionë euro.
Bëhet fjalë për projekte infrastrukturore që do të përmirësojnë cilësinë e jetesës së qytetarëve. Më saktë, mjetet mjetet janë dedikuar për ndërtimin e rrjeteve për furnizim me ujë, kanalizimeve fekale dhe atmosferike, rikonstruimin e rrugëve lokale, përfundimin e kopshteve, rikonstruimin e shkollave fillore dhe të mesme, rezervuarëve të ujit, sistemeve të furnizimit me ujë dhe projekteve të tjera.
23 projektet për të cilat u miratuan kontratat në mbledhjen e sotme janë këto:
- Në Komunën e Butelit parashikohet ndërtimi i kopshtit për fëmijë “Shën Klimenti i Ohrit”;
- Në Komunën e Prilepit do të realizohet rikonstruimi i furnizimit kryesor të Pashovski Livadi;
- Në Komunën Novo Sellë me mjetet e parapara do të ndërtohet sistem për kanalizim në f. Sushica;
- Në Komunën Shuto Orizari, mjetet janë paraparë për ndërtimin e kanalizimit atmosferik;
- Në Komunën Kriva Pallanka, do të bëhet rikonstruimi i rrugës Vërshaçka;
- Në Komunën e Vallandovës, më saktë për f. Rabrovo është paraparë ndërtim i kanalizimit dhe sistemit të kolektorëve;
- Për Komunën Strumicë – Projekt për rregullimin e Poroj – Sv. Ilija;
- Në Dellçevë – Parashihet rikonstruimi i fasadës së shkollës SHFK “Vanço Përke”;
- Në Komunën e Resnjës – Në vendbanimin Slivnicë vijon ndërtimi i kanalizimit;
- Në Probishtip – rikonstruim i rrugës Dame Gruev;
- Në Karbinci – Sistem rajonal i furnizimit me ujë Golema Pllaçkovica;
- Në Likovë – Ujësjellës për fshatin Llojan;
- Për Tetovë – ndërtim i rrugës Bllagoja Toska;
- Në Çair parashihet rikonstruim i rrjetit për furnizim me ujë dhe rikonstruim i kanalizimit ekzistues dhe ujëra fekale;
- Për Saraj, rikonstruim i rrugës Bukoviç – Raoviç
- Në Komunën e Rosomanit, rehabilitim dhe sanim i tubacionit kryesor për furnizim me ujë në f. Krushevica;
- Në Bosillovë, ndërtim i rrjetit për furnizim me ujë në vendbanimin Geçerlija;
- Në Karposh, rregullimi i katit përdhes -rikonstruim i zonës për këmbësorë-platforma e kompleksit banesor-afarist - Porta Vllae;
- Në Nagoriçin e Vjetër, ndërtim i drejtimit rrugor deri në f. Dragomance;
- Në Negotinë, ndërtim i rrugëve në fshatin Timjanik; dhe
- Për komunat Zelenikovë, Tearcë dhe Bogovinë janë paraparë mjete për ndërtimin e infrastrukturës komunale.