Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e sotme të rregullt të 109-të e shqyrtoi dhe miratoi Informacionin për gjendjen me zjarret pyjore në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke përfshirë periudhën prej vitit 2019 deri më 15 gusht të vitit 2021.
Në bazë të të dhënave nga Informacioni për sipërfaqet e kapluara nga zjarri, ndërkaq me qëllim që të sanohen dëmet në pajtim me programin e rregullt dhe të jashtëzakonshëm për pyllëzim të NP “Pyjet Nacionale”, Qeveria i rekomandoi Ministrisë së Financave t’i shqyrtojë mundësitë për alokim të mjeteve në vlerë deri 421,2 milionë denarë në pajtim me vlerësimin për lartësinë e dëmit për realizim të plotë të programit për pyllëzim.
Në mënyrë plotësuese, Qeveria i rekomandoi Komitetit drejtues për koordinim dhe menaxhim në sistemin për menaxhim me kriza, në koordinim me Ministrinë e Financave, Sekretariatin për Çështje Evropiane dhe NP “Pyjet Nacionale”, t’i shqyrtojnë mundësitë për konfirmim të burimeve për mjete financiare nga fondet e BE-së dhe nga programet për ndryshime klimatike të Bankës Botërore për furnizim të pajisjes së plotë bashkëkohore, përfshirë edhe automjete speciale të terrenit, për përballje me zjarret dhe katastrofa të tjera natyrore në pajtim me reformat e parapara në sistemin për mbrojtje dhe shpëtim.
Në këtë mbledhje Qeveria e shqyrtoi dhe e miratoi Planin për qëndrueshmëri fiskale dhe mbështetje të rritjes ekonomike: politika, rekomandime, masa dhe indikatorë, si dhe i ngarkoi shfrytëzuesit buxhetor t'i zbatojnë dhe respektojnë masat dhe rekomandimet e Planit, qëllimi i së cilit është konsolidimi fiskal, i kahëzuar drejt mbështetjes së stabilitetit makroekonomik dhe përshpejtimit të rritjes së ekonomisë nacionale.
Konsolidimi i planifikuar fiskal përfshin tre aspekte kryesore:
- Përmirësimin e grumbullimit të të ardhurave buxhetore, përmes masave për zvogëlimin e ekonomisë gri dhe masave për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit;
-Reduktimin dhe ristrukturimin e shpenzimeve buxhetore, duke shkurtuar shpenzimet jo prioritare dhe jo thelbësore, mbështetje më e madhe për sektorin privat dhe inovacione në mënyrë që të përforcohet konkurrenca, komponenti social për të mbështetur kategoritë më të cenueshme të popullsisë dhe rishikimi i metodologjive për transferimet dhe subvencionet;
- Ndryshimet në burimet e financimit të deficitit buxhetor, diversifikimi më i madh i burimeve të financimit të deficitit, financim dhe realizim i projekteve të caktuara përmes partneriteteve publike-privat dhe krijimi i një Fondi për Zhvillim për investimet strategjike.
Në mbledhjen e sotme janë përcaktuar tekstet e Propozim-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për emrin personal, të Propozim-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për dokumentet e udhëtimit të shtetasve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të Propozim-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për regjistrimin e banimit dhe qëndrimit të qytetarëve, të Propozim-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin për letërnjoftim, të Propozim-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shtetësi të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të Propozim-ligjit për plotësimin e Ligjit për numrin amë, të cilat janë në kompetencë të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Bëhet fjalë për ligje të cilat janë pjesë e legjislacionit kombëtar në të cilat do të zbatohen proceset e parapara për digjitalizim në praktikë, nevojitet njëkohësisht edhe ndryshim i koordinuar i disa rregulloreve.
Me ndryshimet dhe plotësimet e parapara do të kryhet edhe harmonizimi me Kapitullin 10 të Bashkimit Evropian, që paraqet bazë për fillimin e digjitalizimit në shtetin tonë dhe implementim të plotë të konceptit e-Qeveri, në mënyrë që siguron komunikim të ndërsjellë të institucioneve me sektorin e biznesit dhe me qytetarët.
Qeveria sot shqyrtoi dhe miratoi Strategjinë për ndërtimin e rezistencës dhe ballafaqimin me kërcënimet hibride dhe Planin e Veprimit shoqërues.
Qëllimi i kësaj strategjie është të krijojë një vetëdije të përbashkët për natyrën e kërcënimeve hibride, të hartojë përgjegjësitë dhe bartësit, të identifikojë mënyrat për të vepruar, si dhe të krijojë burime për ndërtimin e rezistencës nacionale duke përfshirë tërë shoqërinë (whole – of – society approach), që do të thotë dhe ndërtimi i një shoqërie të gatshme për detektim të hershëm, reagim dhe rimëkëmbje të shpejtë, me pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve përkatës në ballafaqimin e kërcënimeve hibride.
Në këtë mbledhje është shqyrtuar dhe miratuar teksti i Marrëveshjes mes Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane, e përfaqësuar nga Ambasada e Zvicrës në Republikën e Maqedonisë së Veriut / Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), për zbatimin e Projektit "Zhvillim rajonal i balancuar, gjithëpërfshirës dhe i barabartë faza II".
Faza e dytë e këtij projekti do të realizohet nga tetori i vitit 2021 deri në shtator të vitit 2025 dhe qëllimi i tij kryesor është të zvogëlojë pabarazitë në zhvillimin mes dhe në kuadër të rajoneve planifikuese.
Për realizimin e këtij projekti, Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim ndan 4 milionë franga zvicerane, ndërsa Ministria e Vetëqeverisjes Lokale do të marrë pjesë me bashkëfinancim në vlerë prej 2 milionë franga zvicerane.