Qeveria e Republikës së Maqedonisë Veriut në mbledhjen e sotme të rregullt të 27-të e plotësoi Vendimin për përcaktimin e çmimeve më të larta të produkteve të caktuara në tregtinë me shumicë dhe pakicë me tri produkte të reja elementare ushqimore oriz, vezë dhe pasta.
Sipas vendimit, çmimet e këtyre produkteve janë ngrirë në nivel të çmimeve deri më 1 dhjetor dhe do të vlejnë deri më 31 janar 2022, për të parandaluar rritjet e mundshme të çmimeve të produkteve ushqimore elementare.
Në këtë mbledhje, me të cilën kryesoi zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive, Artan Grubi, u miratuan ndryshimet e Ligjit për tarifën doganore me të cilat propozohet ulje e tarifave doganore për mallra të caktuara të cilat si lëndë të para apo lëndë të papërpunuara shfrytëzohen në industrinë vendore.
Me miratimin e këtij ligji, në fakt do të realizohet Masa 17 e pakos së pestë të masave ekonomike për rigjallërimin e ekonomisë në kushte të Kovid-19, si dhe për harmonizim më të madh me Tarifën doganore të Bashkimit Evropian edhe në pjesën e tarifave doganore, duke pasur parasysh edhe rregullat e Organizatës Botërore Tregtare.
Në mbledhjen e sotme u miratua Propozimi i ligjit për garancinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut për obligimet rreth marrëveshjes financiare dedikuar për financimin e projektit “Interkonektori për përçim të gazit natyror Greqi – Maqedoni e Veriut, pjesa e Maqedonisë së Veriut”, që do të lidhet mes Bankës Investuese Evropiane (BIE) dhe SHA për kryerjen e veprimtarive energjetike Burimet energjetike nacionale Shkup(BEN) , në pronësi shtetërore.
Me këtë propozim-ligj, Republika e Maqedonisë së Veriut e garanton përmbushjen e obligimeve të Marrëveshjes financiare mes BIE dhe SHA BEN për financim të projektit “Interkonektori për përçim të gazit natyror Greqi – Maqedoni e Veriut, në pjesën e Maqedonisë së Veriut”, në shumë prej 28.900.000 eurove, në afate dhe kushte të parapara në marrëveshjen financiare.
Kredia mund të shlyhet për më shumë se 10 këste, me ç’rast shuma minimale e këstit është 3.000.000 euro, ndërsa afati për pagesën e secilit këst të kredisë, mund të jetë prej katër deri 25 vite nga data e tërheqjes së këstit, me një periudhë mospagimi (grejs) e cila mund të jetë mes 30 ditëve dhe pesë viteve nga data e tërheqjes së këstit.
Me propozim të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, Qeveria e shqyrtoi dhe e miratoi Informacionin për konstituimin e Komitetit për Negociata dhe ekipin negociator për implementimin e projektit për ndërtimin e infrastrukturës së Korridorit 8 (Aksi: Tetovë – Gostivar – Bukojçan dhe projekti për autostradën Trebenishtë – Strugë – Qafë Thanë) dhe Korridori 10 D (Aksi i autostradës Prilep – Manastir) në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Për anëtarë të Komitetit për Negociata janë caktuar zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive Artan Grubi, zëvendëskryeministri i ngarkuar për Luftë kundër Korrupsionit dhe Krimit , Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Burime Njerëzore , Lupço Nikollovski, zëvendëskryeministri i ngarkuar për Çështje Ekonomike, Koordinim të Burimeve Ekonomike dhe Investimet, Fatmir Bytyqi, ministri i Financave Fatmir Besimi, ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska, ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, ministri i Transportit dhe Lidhjeve Bllagoj Boçvarski dhe drejtori i NP Rrugët Shtetërore Ejup Rustemi.
Si konkluzion i veçantë për këtë pikë, Qeveria vendosi t’i dërgojë shkresë Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut me kërkesë që anëtar i këtij Komiteti të emërohet edhe një përfaqësues i partisë më të madhe në opozitë
Në mbledhjen e sotme të 127-të u shqyrtua dhe u miratua Informacioni për aktivitetet përgatitore për fazën e dytë të dialogut konkurrues për dhënien e kontratës për krijimin e partneritetit publiko-privat për financim, projektim, ndërtim, menaxhim, mirëmbajtje dhe zhvillim të sistemit shpërndarës të gazit natyror deri në arritjen e marrëveshjes për dhënien e kontratës për këtë projekt strategjik për gazifikim të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Qeveria në mbledhjen e sotme e miratoi informatën për furnizim të vaksinave kundër KOVID-19 për vitin 2022, sipas të cilës është përcaktuar nevoja për furnizimin e 500.000 dozave të vaksinës mRNA (mRNK) nga prodhuesi “Fajzer”, ku duhet të kyçen edhe dozat pediatrike në sasi prej 1 për qind nga numri i përgjithshëm i fëmijëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut të moshës prej 5 deri 12 vjeç, përkatësisht rreth 10.000 doza.
Në pajtim me informatën dozat për të rriturit duhet të nisin të jepen nga muaji maj, ndërsa dozat pediatrike në tremujorin e parë të vitit 2022, ndërsa sasia e përgjithshme duhet të arrijë deri në dhjetor 2022.
Furnizimi me këtë sasi të vaksinave kundër Kovid-19 për vitin 2022 bëhet për shkak të mbrojtjes së shëndetit publik dhe për rifillim të ekonomisë si interes publik.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e sotme ka miratuar Vendim për shpalljen e një pjese të Maleshevës për zonë të mbrojtur në kategorinë V – Zonë e mbrojtur
Sipërfaqja e zonës së ardhshme të mbrojtur zona e mbrojtur – Maleshevë është 11460.89 hektarë me tri zona të zonës së mbrojtur për mbrojtjen dhe promovimin e natyrës.
Shpallja e një pjese të Maleshevës si zonë e mbrojtur do të kontribuojë në promovimin e zbatimit të synimeve Aichi të Konventës për Diversitetin Biologjik (CBD) dhe konventave të tjera për mbrojtjen e natyrës (Bern, CITES, Bonn, Ramsar, etj.), për progresin në përmbushjen e synimeve dhe veprimeve të Strategjisë Nacionale për Mbrojtjen e Natyrës dhe Strategjisë Nacionale për Biodiversitet Biologjik, si dhe për progresin në zbatimin e direktivave të BE-së për habitatet dhe shpendët, avancimin e bashkëpunimit ndërkufitar në fushën e mbrojtjes së natyrës me Republikën e Bullgarisë, zhvillimi i ekoturizmit dhe ekonomisë lokale etj.
Në mbledhjen e sotme Qeveria e miratoi tekstin e Marrëveshjes për kushtet për ndërlidhjen e skemave elektronike të identifikimit për qytetarët e Ballkanit Perëndimor, e cila synon t’u mundësojë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë qasje në shërbimet elektronike në portalet nacionale të këtyre vendeve duke krijuar një identifikim elektronik “Ballkani i Hapur” realizim i mundësisë për qasje në tregun e punës në të tre vendet.
Në këtë mbledhje u miratua teksti i Marrëveshjes për kushtet për qasje të lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor, e cila, kur të ratifikohet nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia, do t’u mundësojë qytetarëve të këtyre tre vendeve të lëvizin dhe të punojnë lirshëm në secilën prej tyre
Marrëveshja për kushtet për qasje të lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor është rezultat i nismës “Ballkani i Hapur” për të thjeshtuar procedurat për qasje të barabartë në tregun e punës në rajon sipas shembullit të BE-së, që është një hap drejt pranimit të vlerave dhe praktikave në Bashkimin Evropian.