Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e tretë, e cila u mbajt përmes video-konferencës, miratoi Vendim për përcaktimin e numrit të ditëve të mësimit në vitin shkollor 2021/2022 në shkollat fillore në kushte të rrethanave të jashtëzakonshme.
Me këtë vendim, numri i ditëve të mësimit në vitin shkollor 2021/2022 në shkollat fillore në kushte të rrethanave të jashtëzakonshme është përcaktuar në 172 ditë mësimi, që do të thotë se pushimet dimërore të nxënësve do të zgjasin deri më 1 shkurt të vitit 2022, kurse viti shkollor do të përfundojë më 10 qershor të vitit 2022.
Vendimi me të njëjtën përmbajtje është miratuar edhe për shkollat e mesme, që do të thotë se në këto institucione arsimore numri i ditëve të mësimit në vitin shkollor 2021/2022 në shkollat e mesme në kushte të rrethanave të jashtëzakonshme është përcaktuar në 172 ditë mësimi, gjegjësisht 158 ditë mësimi për vitin e fundit të arsimit të mesëm, pushimi dimëror i nxënësve do të zgjasë deri më 1 shkurt të vitit 2022, ndërsa viti shkollor do të përfundojë më 10 qershor.
Vendimi për fillimin e gjysmëvjetorit të dytë në shkollat fillore dhe të mesme për 1 shkurt të këtij viti është miratuar në mbledhjen e kaluar të Qeverisë dhe me rekomandim të Shtabit të Përgjithshëm Koordinues të Krizës në përputhje me informacionet epidemiologjike se vendi ndodhet në kulmin e infeksionit.
Vendimi i sotëm mundëson përshtatjen e duhur të programeve mësimore për të përmbushur datën 10 qershor si afat i fundit për përfundimin e vitit shkollor.