Nga mbledhja e 32-të e Qeverisë: Plani Operativ për punësim në vlerë prej 1,8 miliardë denarë do të përfshijë pothuajse 15.000 persona; Pensionet e muajit mars me 1000 denarë shtesë do të fillojnë të paguhen nga 29 marsi

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e sotme të 32-të miratoi vendim për të tërhequr propozimin e Ligjit për evidencë personale nga iniciativa e ngritur parlamentare për  ndryshime dhe plotësime.

Ky vendim është miratuar për shkak të harmonizimit shtesë me Ligjin për evidencë personale me sistemin e reformuar të regjistrimit të fëmijëve të sapolindur duke pasur parasysh faktin se dispozitat ligjore janë të vjetruara dhe nuk korrespondojnë me gjendjen reale me të cilën përballet sistemi ynë juridik. Nga ana tjetër, zgjidhja ligjore është e vjetërsuar për sa i përket personave të paregjistruar dhe i njëjti duhet të harmonizohet në mënyrë shtesë  me Ligjin për personat e paregjistruar në librin amzë të të lindurve i cili është  miratuar në vitin 2020.

Zgjidhja ligjore me të cilën  rregullohet sistemi i evidencës në libra amzë të të lindurve, martesave dhe vdekjeve duhet të harmonizohet me procesin e digjitalizimit dhe ndërveprueshmërisë.

Qeveria në mbledhjen e sotme miratoi tekstin e Propozim-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për nëpunësit administrativë.

Qëllimi kryesor i zgjidhjes ligjore të propozuar është arritja e barazisë së punonjësve në sektorin privat dhe atë publik dhe harmonizimi i pagave të tjera të punonjësve administrativë, si dhe sigurimi i vazhdimësisë së ndryshimeve të pagave në administratë në raport me pagën minimale nacionale, si synim afatgjatë.

Qeveria sot e shqyrtoi  dhe e miratoi Planin Operativ për programet dhe masat aktive për punësime dhe shërbime në tregun e punës për vitin 2022.

Me Planin Operativ për programet dhe masat aktive për punësim dhe shërbime në tregun e punës për vitin 2022 përcaktohen programet, masat dhe shërbimet për punësim që do të sigurojnë hapjen e vendeve të reja të punës, mbështetjen për krijimin e vendeve të punës dhe rritjen e punësimit personave të papunësuar, veçanërisht të  rinjve, të papunëve afatgjatë dhe shfrytëzuesve të së drejtës për ndihmë financiare nga mbrojtja sociale, si dhe mbështetja për personat e papunësuar të cilëve u është ndërprerë punësimi gjatë krizës së shkaktuar nga pandemia me KOVID-19, gjegjësisht  nga data 11 mars 2020.

Plani Operativ për punësim pritet të përfshijë 14.685 persona, ndërsa për programet, masat dhe shërbimet për punësim janë paraparë mbi 1,8 miliardë denarë.

Në këtë mbledhje, Qeveria e shqyrtoi dhe e miratoi Informacionin dhe mori vendim që të miratojë hyrjen dhe qëndrimin e forcave të armatosura të huaja në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për pjesëmarrje në stërvitjen “Swift Response - 22”.

Me këtë vendim, Qeveria i ngarkoi institucionet kompetente që të marrin masa për kalimin pa pengesë të kufirit shtetëror të më shumë se 850 mjeteve motorike ushtarake dhe civile, 8 avionëve, 24 helikopterëve, 5 dronëve pa pilotë, armëve, municionit, pajisjeve dhe mjeteve materiale dhe teknike të forcat e armatosura të shteteve të huaja, në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

 Stërvitja “Swift Response-22” është pjesë nga stërvitja “Defender Europe 22” me pjesëmarrje të një numri të madh të pjesëtarëve të ushtrive nga aleanca e NATOS dhe Partneriteti për paqe ku njëherit do të realizohet në pesë lokacione në Evropë.
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, e shqyrtoi dhe miratoi Informacionin për pagesën e pensioneve për muajin mars 2022, dhe e ngarkoi Fondin e Sigurimit Pensional dhe Invalidor të Maqedonisë së Veriut që ti dorëzoj të dhënat për pensionet deri te bankat komerciale deri më 28.03.2022 dhe u rekomandoi bankave komerciale të sigurojnë që pensionistët të mund të marrin pensionet e muajit marsit përmes rrjetit të bankomatëve  dhe në rrjetin tregtar nga data 29.03.2022.

Bankat komerciale, nëpërmjet filialeve të tyre dhe ekspoziturave do të sigurojnë pagesa në dorë të pensioneve për klientët të cilët nuk përdorin kartel edh atë  në katër grupe sipas kësaj renditje në bazë të lartësisë së pensioneve si në vijim:

- Për pensionet deri në 11.000 denarë, pagesa të bëhet më 29.03.2022 (e martë);

- Për pensionet në shumë prej 11.001-14.000 denarë, pagesa duhet të bëhet më 30.03.2022 (e mërkurë);

- Për pensionet në shumë prej 14.001-18.000 denarë, pagesa të bëhet më 31.03.2022 (e enjte) dhe

 

-    Për pensionet në vlerë mbi 18.001 denarë, pagesa duhet të bëhet më 01.04.2022 (e premte).

 Pensionet për muajin mars përfshijnë 1000 denarët e parë të cilët si ndihmë shtesë financiare pensionistët do t'i marrin edhe me pensionet e prillit dhe majit.
 
Qeveria në mbledhjen e sotme miratoi informacionin me të cilin i ngarkoi institucionet e administratës shtetërore, që jo më vonë se data 25 mars, në mënyrë të kuptueshme dhe transparente të përditësojnë shërbimet që secila nga institucionet u ofron qytetarëve dhe të cilat janë të përfshira në Katalogun për shërbime dhe Portalin nacional për shërbime elektronike.
 
Në këtë mbledhje  u shqyrtua dhe u miratua Informacioni për zbatimin  e dispozitës ligjore të Ligjit për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit, dhe e ngarkoi  Sekretariatin e Përgjithshëm të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut që në afat prej 15 ditësh të përpiloi formularin  për të dhënat biografike të cilin institucionet do ta dorëzojnë gjatë propozimeve për zgjedhje dhe emërime të personave deri te Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut i cili më pas do të dorëzohet deri te  Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit për shkak të vendosjes në Regjistrin e personave të zgjedhur dhe të emëruar.

 Qeveria në mbledhjen e sotme shqyrtoi dhe miratoi informacionin për nënshkrimin e Memorandumit për mirëkuptimi ndërmjet Agjencisë për Rini dhe Sport dhe Ministrisë së Rinisë dhe Sportit të Republikës së Bullgarisë për bashkëpunim në fushën e rinisë dhe sportit.

 Qëllimi i këtij Memorandumi është forcimi shtesë i marrëdhënieve të ngushta mes dy vendeve me anë të avancimit të bashkëpunimit të të rinjve edhe në sferën e sportit.