Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e sotme të rregullt të 44-të miratoi Vendimin për përcaktimin e numrit të ditëve mësimore në vitin shkollor 2021/2022 në shkollat e mesme.
Me këtë vendim përcaktohet se numri i ditëve mësimore në vitin shkollor vijues në shkollat e mesme është 146 ditë mësimore, gjegjësisht nuk ka vazhdim të vitit shkollor.
Qeveria në mbledhjen e sotme solli vendim për ndërprerjen e vlefshmërisë së vendimit për kufizimin e eksportit të vajit të lulediellit.
Vendimi është marrë në bazë të situatës së konstatuar që prodhimi vijues vendor i vajit të lulediellit e furnizon rregullisht tregun vendas për nevojat e konsumit masiv, gjegjësisht për shërbimin e qytetarëve, se sasitë ekzistuese pozitivisht ndikojnë në gjendjen e qëndrueshme me këtë produkt ushqimor bazë dhe se nuk ka nevojë që të krijohen teprica, domethënë rezerva të vajit të lulediellit për ushqim.
Në këtë mbledhje Qeveria i ngarkoi Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Financave të sigurojnë mjete të nevojshme për sigurimin e terapisë antiretrovirale si pjesë përbërëse e Programit për mbrojtjen e popullatës nga infeksioni HIV në Republikën e Maqedonisë së Veriut për vitin 2022.
Ministrat në Qeveri e shqyrtuan dhe e miratuan Informacionin për nevojën e lidhjes së Marrëveshjes për grant për projektin “Rehabilitimi i objekteve të edukatës fizike në shkollat fillore dhe të mesme dhe furnizimi i pajisjeve sportive në Maqedoninë e Veriut”, ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut, përfaqësuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Banka për Zhvillim pranë Këshillit të Evropës – CEB.
Granti vjen nga Korniza e investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), në lartësi prej tre milionë eurosh dhe është dedikuar për rindërtimin e 30 sallave ekzistuese sportive të shkollave në shkollat fillore dhe të mesme dhe për pajisjen me pajisje sportive të 50 sallave ekzistuese sportive të shkollave në shkollat fillore.