Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, sot, përmes komunikimit me videokonferencë, mbajti mbledhjen e 70-të në të cilën u miratuan rekomandimet për uljen e rreziqeve nga temperaturat e larta, në kohëzgjatje prej dy ditë, 18-19 gusht 2022 (e enjte dhe e premte).
Me sugjerimin e ministrit të Shëndetësisë, se sipas të dhënave nga Drejtoria për Çështje Hidrometeorologjike në dy ditët e ardhshme, territori i gjithë vendit do të përfshihet nga temperatura të larta – fazë portokalli, Qeveria ka dhënë rekomandimet në vijim:
- Lirim nga obligimet e punës për grupet më të rrezikuara të popullatës, si gratë shtatzëna dhe personat në moshë mbi 60 vjeç.
- Në institucionet për kujdes të fëmijëve, (kopshtet) nuk duhet të praktikohet aktiviteti fizik dhe fëmijët nuk duhet të nxirren jashtë nga ora 11:00 deri në orën 17:00.
- Njësitë e vetëqeverisjes lokale, Kryqi i Kuq dhe qendrat për çështje sociale në rajonet e përfshira nga vala e nxehtë, të ofrojnë ndihmë për personat që jetojnë vetëm, të moshuar, të pafuqishëm dhe të pastrehët.
- Duke marrë parasysh faktin se procese të caktuara të rrezikshme prodhimi dhe teknologjike mund të paraqesin rrezik shtesë për shëndetin e punëtorëve të ekspozuar, përkujtohen punëdhënësit e detyrimit për respektimin e rregulloreve ligjore në këtë fushë.
- Në mënyrë që punëtorët të mbrohen nga ekspozimi i drejtpërdrejtë i diellit, është e nevojshme organizimi i orarit të punës duke shmangur qëndrimin në ambient të hapur nga ora 11:00 deri në orën 17:00.
Në përputhje me rekomandimet, Qeveria miratoi konkluzionet:
- Organet shtetërore dhe ndërmarrjet dhe institucionet publike t’i respektojnë rekomandime,
- I rekomandohet sektorit privat të organizojë orarin e punës në mënyrë që të mbrojë punëtorët nga ekspozimi i drejtpërdrejtë i diellit dhe shmangie e qëndrimit në ambient të hapur në periudhë nga ora 11:00 deri në orën 17:00,
- Kjo masë të jetë në kohëzgjatje prej dy ditë, deri në marrjen e vendimit të mëtejshëm,
- Orari i punës në kopshte të organizohet në periudhë nga ora 7:00 deri në orën 17:00, kështu që mos të praktikohen aktivitete fizike dhe fëmijët mos të dalin jashtë pas orës 11:00.
- Të gjithë subjektet juridikë që kryejnë aktivitete në ambient të hapur të ndërpresin aktivitetet në periudhë nga ora 11:00 deri në orën 17:00. Kjo veçanërisht vlen për punëtorët që punojnë në ndërtimtari.