Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e rregullt të 72-të, në të cilën u shqyrtuan disa pika nga Programi i saj i punës dhe në interes të qytetarëve, e shqyrtoi dhe miratoi Informacionin për gjendjen e rezervuarit Palurci, duke ngarkuar Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MJPH) që të vë në funksion hidrosistemin “Shpëtim për Liqenin e Dojranit” dhe të sigurojë rrjedhjen e ujit në rezervuarin e Palurcit deri në kapacitetet maksimale të sistemiz dhe atë në kohëzgjatje sipas nevojave për normalizimin e nivelit të ujit në rezervuar.
Me furnizimin me sasi shtesë të ujit do të sigurohen kushtet për ujitje të tokave bujqësore dhe do të shmangen dëme shtesë për fermerët nga Komuna e Bogdancit dhe vendbanimet Stojakovë dhe Gjavato.
Me propozim të Ministrisë për Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor u miratuan informacionet për furnizim publik shumëvjeçar për financimin e aktiviteteve për ndërtimin e kanalizimit fekal në vendbanimin Straçincë, komuna Gazi Babë, si dhe për financimin e aktiviteteve të Projektit – Rregullimin e një pjese nga kanali qarkor në vendbanimin Haraçin, komuna e Haraçinës dhe për financimin e aktiviteteve për rikonstruimin e sistemit për furnizim me ujë Bogdanci.
Këto projekte janë pjesë e programit për investim të MJPH-së, në pjesën e financimit të projekteve për furnizim me ujë dhe ndërtimin e kanalizimit primar dhe sekondar, në përputhje me prioritetet strategjike të MJPH-së për zhvillimin e infrastrukturës bashkëkohore dhe funksionale për ujësjellës, mbrojtje të ambientit jetësor dhe ngritje të nivelit të zhvillimit social dhe cilësisë së jetesës në të gjitha komunat në shtetin tonë.
Në këtë mbledjhje, Qeveria e shqyrtoi dhe e miratoi përmbajtjen e thirrjeve publike dhe dokumentacionin e tenderit për zbatimin e procedurës për përzgjedhjen e kryerësit të veprimtarisë energjetike prodhim i rregulluar të energjisë termike, procedurën për përzgjedhjen e kryerësit të veprimtarisë energjetike të shpërndarjes së energjisë termike, si dhe për zbatimin e procedurës të përzgjedhjes së kryerësit të veprimtarisë energjetike furnizim me energji termike
Thirrjet publike do të shpallen në faqen e internetit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Anëtarët e Qeverisë, me propozim të Ministrisë së Drejtësisë, në mbledhjen e rregullt e miratuan Informacionin për inicimin e një organi ad-hok ndërsektorial si zgjidhje e përkohshme deri në miratimin e Ligjit të ri për shoqatat dhe fondacionet.
Duke qenë se Ministria e Drejtësisë nuk mban regjistër të figurave historike, nevojitet një zgjidhje kalimtare për kërkesat e paraqitura nga shoqatat që kanë një personazh historik në emër të tyre dhe organi i formuar do të japë mendim për karakterin e figurat historike, gjegjësisht në mënyrën se si do të formohen, për të shmangur abuzimin e personave të caktuar që kanë kontekst negativ në periudha të ndryshme historike.
Në këtë mbledhje u miratua Informata në të cilën Ministria e Transportit dhe Lidhjeve e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministria e Infrastrukturës së Ukrainës u pajtuan që transportuesit e Ukrainës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut të kryejnë transportin e mallrave në transportin rrugor, në mënyrë dypalëshe dhe transit pa leje deri në fund të vitit, sipas parimit të reciprocitetit për të dy vendet.
Gjatë gjendjes së luftës në Ukrainë, ky është një hap drejt lehtësimit të transportit të transportuesve maqedonas dhe ukrainas në të dy drejtimet, në mënyrë që të lehtësohet mbërritja e ushqimit, barnave dhe karburanteve për konsumatorët përfundimtarë.
Pas miratimit të Informacionit për pagesën e pensioneve për muajin gusht të vitit 2022 nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale, ngarkohet Fondi për Sigurim Pensional dhe Invalidor i Maqedonisë së Veriut ti dorëzojë të dhënat për pensionet në bankat afariste deri me datë 29.08.2022.
Gjithashtu u rekomandohet bankave afariste që përmes filialeve dhe ekspoziturave t bankave të sigurojnë pagesë në para të gatshme të pensioneve për klientët që nuk shfrytëzojnë kartela, në katër grupe sipas këtij rendi të përbërë nga lartësia e pensionit:
- Për pensione në lartësi deri në 11.000 denarë, pagesa të realizohet më 30.08.2022 (e martë);
- Për pensione në lartësi 11.001-14.000 denarë, pagesa të realizohet më 31.08.2022 (e mërkurë);
- Për pensione në lartësi 14.001-18.000 denarë, pagesa të realizohet më 01.09.2022 (e enjte ) dhe
- Për pensione në lartësi mbi 18.001 denarë, pagesa të realizohet më 02.09.2022 (e premte).
Me propozim të Komisionit për Çështje Kadrovike, Qeveria në këtë mbledhje solli disa vendime kadrovike.
E pranoi dorëheqjen e Arafat Muaremit dhe e shkarkoi nga detyra u.d. drejtor i Policisë Financiare, organ në përbërje të Ministrisë së Financave.
Goran Ivanovin e emëroi për u.d drejtor të Policisë Financiare.
Në kuadër të pikës për çështje kadrovike, me propozim të Komisionit, Qeveria e shkarkoi Fehmi Stafën nga funksioni Avokat i Shtetit i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe solli Vendim për publikimin e shpalljes për emërimin e Avokatit të ri të Shtetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.