Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut mbajti mbledhjen tematike, në të cilën krahas Kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe anëtarëve të Qeverisë, mori pjesë dhe mbajti fjalim shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Shkëlqesia e Tij, Dejvid Gir.
Në mbledhje, Kryeministri Kovaçevski falënderoi të gjithë anëtarët për angazhimet e tyre të deritanishme dhe punën e investuar në rrugën e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.
Me rëndësi të veçantë për përcaktimin e mëtutjeshëm të aktiviteteve që do të vijojnë ishte miratimi i strukturës së rishikuar për negociata për aderim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, të cilën e siguron mekanizmi koordinues për zhvillimin e negociatave me Unionin.
Informacioni me propozim për rishqyrtimin e mekanizmit koordinues të Republikës së Maqedonisë së Veriut për negociata për aderim me Bashkimin Evropian dhe Vendimi për vendosjen e strukturës për negociata u miratua njëzëri nga anëtarët e Qeverisë.
Strukturën e re të miratuar për negociata e përbëjnë:
- Negociatori kryesor për negociata për aderim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, të cilin e kryen zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, i ngarkuar për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, dhe
- Zëvendësi i negociatorit kryesor, të cilin e kryen sekretarja shtetërore për çështje evropiane, e cila njëkohësisht është edhe kryesuese e komitetit për stabilizim dhe asociim, Drita Abdiu Halili.
Mbeten trupat e paraparë në vitin 2019 dhe atë:
- Komiteti për negociata për aderim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian i kryesuar nga Kryetari i Qeverisë, si trup më i lartë politik i Qeverisë për koordinim të negociatave për aderim,
- Delegacioni shtetëror për negociatat për aderim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, të cilin do ta udhëheqë ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani,
- Grupi për negociata për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian si trup profesionalistësh,
- Komisioni i Punës për Integrime Evropiane,
- Grupet e punës për negociata aderuese si trupa ndihmëse të Komitetit të Punës.
Sekretariati i vetëm i procesit negociues është Sekretariati për Çështje Evropiane (SEP), duke pasur parasysh se kompetencat dhe roli i SEP, përfshirë edhe për koordinim të procesit të përgjithshëm të negociatave për aderim, është rregulluar në Ligjin për Qeverinë.
Në mënyrë plotësuese, SEP ngarkohet të jetë depozitues i dokumentacionit të përgjithshëm në lidhje me negociatat aderuese, si dhe të ketë një koordinator në të gjitha grupet e punës, kompetent për aspektet metodologjike dhe të procesit dhe koordinim me trupat e tjerë të strukturës së negociatave.
Njëkohësisht, SEP mori për kompetencë edhe përgatitjen e akteve të nevojshme ligjore, me të cilat do të përcaktohen procedurat e punës së trupave.