Në mbledhjen e sotme të rregullt të 79-të të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut u mor Vendim për formimin e Trupit këshillëdhënës për dhënie të mendimit për përdorimin e emrit të personit historik dhe personazhit tjetër të njohur në emrin e shoqatës dhe personit tjetër juridik.
Paraprakisht, Qeveria miratoi informacionin për nevojën e inicimit të një trupi ndërdikasterial ad-hoc, si zgjidhje e përkohshme, deri në miratimin e Ligjit të ri për shoqatat dhe fondacionet, i cili është në fazë të përpilimit.
Kjo është zgjidhje kalimtare për kërkesat e parashtruara nga ana e shoqatave dhe të gjitha subjekteve juridikë të cilët në emër kanë person historik.
Trupi i formuar do t’i analizojë lëndët e parashtruara dhe institucioneve kompetente do t’u japë mendim për karakterin e personave historikë, gjegjësisht mënyrën se si do të formohen, që të shmanget keqpërdorimi i personave të caktuar që kanë kontekst negativ gjatë epokave të ndryshme historike.
Trupi këshillëdhënës është i përbërë nga shtatë anëtarë, të emëruar nga vetë institucionet, gjegjësisht:
- Dr. Biljana Ristovska-Josifovska, profesoreshë ordinere në Institutin e Historisë Nacionale në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi'' - Shkup;
- Dr. Boban Petrovski, profesor inordinar në Institutin e Historisë në Fakultetin Filozofik në Shkup - për pyetje nga periudha antike dhe shekulli mesjetar / Dr. Nikolla Minov, profesor inordinar në Institutin për Histori të Fakultetit Filozofik në Shkup - për pyetje nga shekulli i ri dhe i fundit;
- Akademik Dragi Gjorgiev, anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë;
- Antonio Pavlloski, këshilltar i posaçëm në Kabinetin e ministrit të Kulturës;
- Biljana Mickovska, nga Sektori për çështje juridike pranë Ministrisë së Ekonomisë;
- Safet Neziri, këshilltar shtetëror për politika arsimore në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe
- Ana Trajçeva – regjistruese në Regjistrin Qendror të Republikës së Maqedonisë së Veriut;
Në punën e këtij trupi, sipas nevojës, mund të përfshihen në mënyrë shtesë edhe persona të tjerë nga sektori i shoqërisë civile dhe institucionet kompetente.
Në mbledhjen e sotme, me propozim të Ministrisë së Mbrojtjes, pas prezantimit të informacioneve për nevojën e dërgimit të pjesëtarëve të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut për pjesëmarrje në grupin ushtarak të NATO-s në Republikën e Bullgarisë dhe në Republikën e Rumanisë, u miratuan vendime të veçanta për dërgimin e njësive të armatës në të dy vendet.
Detyrë e grupit ushtarak të NATO-s është, si pjesë e aktiviteteve të shtuara të vigjilencës së NATO-s (NATO enhanced Vigilance Activities- NATO eVA), të forcojë mbrojtjen e kufijve lindorë të NATO-s në Republikën e Bullgarisë dhe në Republikën e Rumanisë.
Realizimi i aktiviteteve forcon partneritetin dhe bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe aleatëve të tjerë në kuadër të NATO-s dhe njëkohësisht ndikon në zgjerimin e bashkëpunimit bilateral të Republikë së Maqedonisë së Veriut me Republikën e Bullgarisë, me Republikën e Rumanisë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me aleatët e tjerë dhe kombet e tjera, të cilat do të kontribuojnë në grupin e betejës me personel dhe pajisje.
Me propozim të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, u miratua edhe Vendimi për pjesëmarrjen e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Fondin e posaçëm evropian të solidaritetit ATM dhe Fondin solidar të vullnetar të përkohshëm të EUROCONTROL (Organizata Evropiane për Sigurinë e Aviacionit).
Në përputhje me vendimin, Maqedonia e Veriut merr pjesë në Fondin e posaçëm evropian të solidaritetit ATM-ve për mbështetje të Ukrainës dhe Moldavisë në vlerë prej 105,396.00 euro dhe Fondin e përkohshëm vullnetar të solidaritetit për mbështetjen e Estonisë, Letonisë, Lituanisë dhe Polonisë në vlerë prej 108,340.00 euro, për sigurimin e fondeve për shpenzime për funksionim të qëndrueshëm të ofruesve të shërbimeve të navigacionit të Ukrainës, Moldavisë, Estonisë, Letonisë, Lituanisë dhe Polonisë për vitin 2022.
Si rezultat i pasojave që solli lufta në Ukrainë, në mbledhjen e fundit të Këshillit të Përkohshëm pranë EUROKONTROL në qershor, u formuan këto fonde mbështetëse të solidaritetit me qëllim për të mirëmbajtur kostot e personelit operacional të kontrolleve të fluturimeve të këtyre vendeve për vitin 2022, gjegjësisht sigurimin e vazhdimësisë së shërbimeve publike jokomerciale për navigacion ajror.
Mundësia për pjesëmarrje në fondet është përmes tarifave për fluturime, të cilat janë të paguar nga EUROKONTROL në emër të Republikës së Maqedonisë së Veriut ose me kontribut (donacion) të drejtpërdrejtë nga shtetet në fondet.
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut shqyrtoi Propozim-vendimin për ndërprerje dhe dhënie të shfrytëzimit të përhershëm të patundshmërive – objekteve infrastrukturore të linjës Shoqatës aksionare për prodhimin e energjisë elektrike Elektranat e Maqedonisë së Veriut, në pronësi shtetërore, Shkup, për nevojat e Njësisë Energetika - Shkup dhe Ndërmarrjes për shpërndarjen e energjisë termike EEM DISTRIBUIMI i NGROHJES SHPKNJ Shkup, në pronësi të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ndodhen në zonën e Qytetit të Shkupit.
Anëtarët e Qeverisë e miratuan gjithashtu edhe Informacionin për masat e ndërmarra nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) në lidhje me shfaqjen e murtajës afrikane te derrat, në të cilën u sollën detyrime për autoritetet, me qëllim të parandalimit dhe çrrënjosjes së sëmundjes, ndër të cilat:
- Ministria e Financave - Drejtoria doganore të intensifikojë kontrollet në pikat kufitare dhe aeroportet, gjatë hyrjes në vend, bagazhet personale të pasagjerëve dhe në bazë ditore të njoftojë AUV-në për produktet e sekuestruara me origjinë shtazore dhe të njëjtit t’i largojë pa i dëmtuar.
- Derisa AUV nuk deklaron situatë të qëndrueshme epidemiologjike me sëmundjen murtaja afrikane e derrave, në përputhje me Ligjin për Gjueti që të detyrojnë koncesionerët e vendgjuetisë, që të bëjnë gjuajtje të intensifikuar të derrave të egër në vendgjuetitë e përcaktuara me vendim të drejtorit të AUV-së, pavarësisht numrit të gjuajtjeve të lejuara të përcaktuara në vendgjueti për çdo vendgjueti. Në ditët e gjuetisë, të kryhet kontrolli, në prani të veterinerit zyrtar për të gjithë pjesëmarrësit në gjueti në pika të caktuara, pavarësisht nëse kanë gjuajtur kafshë të egra dhe të respektojnë detyrimin ligjor për lëshimin e vërtetimit për origjinën e kafshës së egër, pjesëve të kafshës së egër dhe trofeve të kafshës së egër.
- Në vendet e gjuetisë ku gjuetia është e ndaluar, të kërkohen derrat e egër të ngordhur dhe të njëjtat t'i raportojnë tek veterinerët kompetentë zyrtarë për marrjen e mostrave.
- Njëkohësisht, të përpilojnë plan për dinamikën, m[nyrën e kërkimit dhe masat e biosigurisë, të cilat duhet të zbatohen gjatë realizimit të këtij aktiviteti dhe t'i dorëzohet AUV-së.
- AUV ka për detyrë që sa më shpejt të jetë e mundur, të bëjë dëmshpërblim për derrat e zhdukur (të vrarë) në të gjitha fermat (të regjistruara) në zonën e mbrojtur prej tre kilometrash.
- Sipas obligimeve, nga dikasteret kompetente kërkohet që t'i ofrojnë ndihmë dhe mbështetje Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë për kontrolle intensive në bazë ditore të automjeteve të udhëtarëve dhe mallrave që transportojnë kafshë në bashkëpunim me veterinerët zyrtarë kompetentë, si dhe sigurimin e mekanizmit të nevojshëm për zbatimin sa më të shpejtë të masave kontrolluese dhe mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së sëmundjes.