Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut e mbajti mbledhjen e 122-të.
Qeveria e shqyrtoi Informacionin e Ministrisë së Shëndetësisë për nevojën e sigurimit të mjeteve financiare shtesë për ISHP Klinika Universitare për sëmundje të fëmijëve Shkup, për furnizim të terapisë për pacientët me fibrozë cistike. Është vendosur që Ministria e Financave, Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi për Sigurim Shëndetësor të mbajnë takim koordinues, për të parashtruar një propozim zgjidhje.
Qeveria në këtë mbledhje ka miratuar Vendim për dhënien e pëlqimit të Vendimit për zgjerimin e veprimtarisë ISHP Spitali i Qytetit “8 Shtatori” – Shkup për realizimin e kujdesit specialistik-konsultativ dhe spitalor shëndetësor në nivel sekondar në fushën e onkologjisë dhe radioterapisë.
Qeveria me propozim të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka përcaktuar tekstin e Propozim-ligjit për shpalljen e Kanionit të Matkës Monument i Natyrës.
U theksua se pasuria e vlerave natyrore dhe kulturore e bën Kanionin e Matkës një nga objektet më përfaqësuese të natyrës në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe karakterizohet nga një trashëgimi e jashtëzakonshme natyrore, veçanërisht me vendbanime dhe lloje të rëndësishme nacionale dhe rëndësi evropiane.
Qëllimi i Propozim-ligjit, siç është paralajmëruar, është mbrojtja e karakteristikave gjeologjike, gjeomorfologjike, hidrologjike, floristike dhe faunike, të cilat janë të një rëndësie të veçantë për mbrojtjen e natyrës.
Qeveria me propozimin e Ministrisë së Financave solli konkluza në disa pika.
Qeveria e përcaktoi tekstin e Propozim-ligjit për taksën e solidaritetit.
Kontributi për solidaritet, siç bën të ditur Ministria e Financave, duhet të veprojë si masë rishpërndarëse për të siguruar që kompanitë në fjalë, të cilat kanë realizuar përfitime të tepërta për shkak të rrethanave të papritura, kontribuojnë në mënyrë proporcionale në zbutjen e krizës energjetike në tregun e brendshëm.
Me qëllim të kryhet korrigjim në çrregullimin e tregut dhe të sigurohet rishpërndarje e barrës së pasojave negative të krizës, siç sqarohet nga Ministria e Financave, më tepër vende të botës kanë futur ose njoftuan se do të fusin të ashtuquajturin ekstra tatim të fitimit (Kroacia, Bullgaria, Greqia, Hungaria, Britania e Madhe, Italia, Spanja, Gjermania).
Vendosja e këtij tatimi ka funksion solidariteti dhe do të sigurojë mjete financiare që tërësisht do të përdoren për financim të Programit për masat për përballje me krizën.
U përcaktua teksti i Propozim ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për rezerva të mallrave, me synim parësor për përfshirjen e orizit si produkt me rëndësi të madhe dhe për krijimin e kushteve për ruajtjen e tij si rezervë mallrash, në formë të kokrrës së orizit.
Qeveria në mbledhjen e sotme përcaktoi tekstin e Propozimit të Ligjit për ndryshimin e Ligjit për buxhetet.
Ndryshimet ligjore të propozuara synojnë fshirjen e dispozitës për rritjen e pagave të punonjësve në Ministrinë e Financave për 30 për qind për, siç u sqarua nga Ministria e Financave, për disa arsye.
Këto janë: pamundësia e përcaktimit të specifikës së detyrave të punës dhe përgjegjësia e veçantë që rezulton nga vendi i punës, me qëllim të saktësimit plotësues të ligjit për buxhetet dhe duke pasur parasysh se Ligji për sistemin e pagave në sektorin publik është në proces miratimi.
Qeveria e shqyrtoi dhe e miratoi Informacionin për Programin e reformave ekonomike 2023-2025 dhe shqyrtoi dhe pranoi tekstin e Programit.
Dhe ky dokument, sipas njoftimit të Ministrisë së Financave, është përpiluar në përputhje me udhëzimet e dhëna të KE, ku përveç kuadrit afatmesëm makroekonomik dhe fiskal, janë përfshirë 19 reforma kyçe strukturore sektoriale për rritjen e konkurrencës dhe rritjen e ekonomisë. Në Program, si sfida kryesore për konkurrencë dhe rritje janë identifikuar: forcimi i kapitalit njerëzor për zhvillim gjithëpërfshirës, inkurajimi i tranzicionit të gjelbër, përmirësimi i konkurrencës së ndërmarrjeve vendore, integrimi i tyre në zinxhirët e vlerës globale dhe formalizimi i ekonomisë.