Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut shqyrtoi dhe miratoi Informacionin për aktivitetet e ndërmarra në lidhje me gjendjen e shpallur të krizës në një pjesë të territorit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në zonat e Komunës së Dellçevës dhe Komunës së Kriva Pallankës dhe miratoi Vendim për përcaktimin e rrugëve dhe rrugëve komunale, për të cilat do të kryhen punë rehabilituese dhe rindërtuese nga ndërmarrjet publike shtetërore.
Me këtë Vendim, siç sqarohet nga propozuesi, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve praktikisht i mundëson Ndërmarrjes Publike për Mirëmbajtjen e Rrugëve Magjistare dhe Rajonale dhe Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore - krahas asaj që bëhet fjalë për rrugë dhe rrugë komunale, në interes të qytetarëve, të ndërmerren të gjitha masat dhe aktivitetet e nevojshme për rehabilitimin, mbrojtjen dhe rindërtimin e rrugëve në komunat Dellçevë dhe Kriva Pallankë.
Kjo është bërë pas njoftimit të dorëzuar nga Komuna e Kriva Pallankës, me listën e prioriteteve për sanimin e dëmeve në infrastrukturë që janë në juridiksion të komunës dhe listën e prioriteteve të objekteve infrastrukturore që janë nën juridiksionin e republikës, si dhe një njoftim të dorëzuar nga Komuna e Dellçevës, me listën e prioriteteve për rrugët, kanalet atmosferike, rregullimin e lumit dhe urën e lumit Bregallnicë.
Me qëllim që të jetë efikase në veprimet e saj, Qeveria ngarkoi Ndërmarrjen Publike për Rrugët Shtetërore dhe Ndërmarrjen Publike për Mirëmbajtjen e Rrugëve Kryesore dhe Rajonale që brenda 6 muajve të paraqesin Raport për rehabilitimin dhe rindërtimin e rrugëve dhe rrugëve komunale të krijuara.
Qeveria, me propozim të Ministrisë së Drejtësisë, miratoi dy vendime për ndërprerjen e përdorimit të përhershëm të dy hapësirave, shfrytëzues aktual i të cilave është Ministria e Drejtësisë dhe dhënien për përdorim të përhershëm, pa kompensim,Gjykatës Themelore Civile Shkup.
Gjykatat kanë obligim ligjor, sipas Ligjit për Noterinë, që të sigurojnë kushte dhe kapacitete hapësinore për lëndët e arkivuara të noterëve të cilëve u është ndërprerë shërbimi noterial ndërsa ky lloj problemi, me sigurimin e kushteve hapësinore për këtë qëllim, sipas Ministrisë së Drejtësisë, ka pasur Gjykata Themelore Civile Shkup.
Për këto arsye, Qeveria me vendime të marra i jep Gjykatës Themelore Civile Shkup në shfrytëzim të përhershëm dy hapësira në rr. “Goce Dellçev” nr. 18 në Shkup, në objektin e Radio Televizionit të Maqedonisë, ku është paraparë të vendosen lëndët e arkivuara të noterëve të cilëve u është ndërprerë shërbimi noterial për shkak të pensionimit, në zonën e gjykatave themelore të qytetit të Shkupit ndërsa për të cilat, Ministria e Drejtësisë raportoi se është bërë inventarizimi dhe seleksionimi i duhur.