Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e sotme përcaktoi Propozim-buxhetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2024.
Propozim buxheti për vitin 2024 është bërë në pajtim me nevojat e qytetarëve dhe ekonomisë së vendit.
Qëllimi është mbështetja e rritjes ekonomike, qëndrueshmëria fiskale dhe pagesa e rregullt e të gjitha obligimeve buxhetore të shtetit - paga më të larta, pensione, të drejta sociale, mbështetje për bujqit, për ndërmarrjet, konsolidim fiskal, përballje me pasojat nga kriza ekonomike globale.
Vlerësohet se Buxheti është bazë e mirë për realizim të rritur dhe të përshpejtuar të projekteve infrastrukturore, tërheqje e investimeve të huaja, inovacionit të kompanive vendore, mbështetje e ekonomisë vendore, sektorit privat dhe qytetarëve, si dhe intensifikimi i konvergjencës së Republikës së Maqedonisë së Veriut drejt BE-së. Gjithashtu, ai do të mundësojë kryerje të rregullt dhe pa pengesa të të gjitha obligimeve ligjore, përfshirë edhe obligimet të cilat dalin nga anëtarësimi në NATO, zbatim i papengueshëm i aktiviteteve të ardhshme zgjedhore.
Propozim-buxheti i miratuar i Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2024 do të dorëzohet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Qeveria, me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, solli Vendim për ndryshim të Vendimit për kushte të posaçme për tregtinë e mallrave të caktuara, me të cilin konstatohet marzhi më i lartë tregtar për frutat dhe perimet e freskëta, për të gjitha shoqatat tregtare dhe tregtarët individual të cilët marrin pjesë në zinxhirin tregtar në tregtinë me shumicë në shumë të përgjithshme deri 10% dhe në shumë të përgjithshme deri 15% në tregtinë me pakicë.
Në pajtim me vendimin e sotëm qeveritar, marzhi më i lartë i konstatuar tregtar për frutat dhe perimet e freskëta, në vend se deri më 30 nëntor, do të zbatohet deri më 31 dhjetor të vitit 2023.
Qeveria e shqyrtoi dhe miratoi Informatën për miratim të Projektit urbanistik për ndërtime të interesit strategjik për ndërtimin e Korridorit rrugor 10d, aksi i autostradës Prilep - Manastir dhe solli Vendim për miratim të këtij Projekti urbanistik.
Lëndë e projektit në këtë fazë, sipas propozuesit, Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, është pjesë e trasesë së autostradës Prilep - Manastir në gjatësi prej 29 km, ndërsa gjatësia e përgjithshme e Aksit të autostradës Prilep - Manastir është rreth 40 km. Pjesa tjetër e trasesë do të jetë lëndë e projekteve urbanistike shtesë.
Qeveria me propozim të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, e shqyrtoi dhe miratoi Informatën lidhur me vazhdimin e procedurës për realizim të projektit "Vendosja e transportit të shpejtë me autobusë në qytetin e Shkupit", me Propozim marrëveshje për implementim dhe dha mbështetje që projekti të vazhdojë të realizohet.
Sipas Informatës nga ministria dikasteriale, gjatë muajit shtator, nga Qyteti i Shkupit është kumtuar se planifikohet vazhdimi i projektit, për të cilin më 21 prill 2021 Qyteti i Shkupit dhe BERZH-i nënshkruan Marrëveshje projektuese për realizim të projektit "Vendosja e transportit të shpejtë me autobusë në qytetin e Shkupit".
Propozim Marrëveshjen për implementim të projektit në pajtim me Marrëveshjen projektuese, duhet ta realizojnë Ministria e Financave, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve dhe Qyteti i Shkupit.
Qeveria përcaktoi tekstin e ri të Propozim ligjit për verën, me të cilin sipas propozuesit, Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, bëhet harmonizimi me rregullat e reja të BE-së në këtë fushë dhe futen produkte të reja në kuadër të ligjit (verë organike, produkte të verës me aromë).
Zgjidhjet e propozuara kanë për qëllim rritjen dhe lehtësimin e eksportit të verës dhe produkteve të verës maqedonase në tregun e BE-së, si tregu më i madh eksportues i verës maqedonase.
Për herë të parë, siç theksohet nga Ministria dikasteriale, vreshtarët marrin çmim të garantuar për rrushin e verës.
Me Propozim-ligjin e ri për verën, është paraparë të përcaktohet çmimi i prodhimit të rrushit të verës për kilogram, jo më vonë se 15 korriku i vitit vijues, për të paktën dy nga varietetet më të zakonshme. Llogaritjen e shpenzimeve për prodhimin e një kilogrami rrush për verë në një sipërfaqe të caktuar dhe me cilësi të përshtatshme, sipas një metodologjie të përshtatshme, parashikohet ta kryejë një institucion i arsimit të lartë ose shkencor në fushën e bujqësisë.
Në pjesën e Propozim-ligjit që ka të bëjë me klasifikimin e verërave, prodhimin, etiketimin dhe mbrojtjen e verërave me emërtim gjeografik, janë paraparë ndryshime të rëndësishme, veçanërisht me qëllim që vera me origjinë nga Republika e Maqedonisë së Veriut të mbrohet në tregjet e BE-së edhe para se vendi të bëhej shtet anëtar i BE-së.
Qeveria, me propozim të Ministrisë së Kulturës, miratoi Vendim për themelimin e institucionit nacional “Shtëpia Përkujtimore e Mustafa Kemal Ataturk” – Koxhaxhik, Qendra e Žhupës. Qëllimi i vendimit është kërkimi, grumbullimi, rregullimi, përpunimi profesional dhe shkencor, studimi, mbrojtja, ruajtja, publikimi dhe prezantimi i objekteve historike etnologjike që lidhen me jetën dhe veprën e Mustafa Kemal Ataturkut, si dhe objekteve të tjera etnologjike dhe historike me rëndësi për Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Qeveria në lidhje me mbledhjen e 30-të ministrore të OSBE-së, e cila do të mbahet më 30 nëntor dhe 1 dhjetor 2023 në Shkup, me propozim të Ministrisë së Punëve të Jashtme, ka marrë vendim që orari i punës për të gjithë të punësuarit në administratën shtetërore dhe publike në territorin e qytetit të Shkupit - më 29 nëntor 2023 (e mërkurë), të përfundojë në orën 12:00. Dhe 30 nëntori 2023 (e enjte) është caktuar si ditë jo pune për të gjithë të punësuarit në administratën shtetërore dhe publike, në zonën e qytetit të Shkupit. Këto konkludime kanë të bëjnë edhe me shkollat fillore dhe të mesme në zonën e qytetit të Shkupit, ndërkaq nuk kanë të bëjnë me kopshtet e fëmijëve dhe institucionet shëndetësore në zonën e qytetit të Shkupit – të cilat duhet të përpilojnë planet e tyre të punës, me qëllim të funksionimit të papengueshëm.
Rekomandohet që komunat në qytetin e Shkupit dhe Qytetin e Shkupit t'i zbatojnë konkluzionet. Ky rekomandim ka të bëjë edhe me sektorin privat në zone e Shkupit, posaçërisht në Komunën e Karposhit dhe komunave të cilat gravitojnë drejt Qendrës sportive “Boris Trajkovski” dhe hotelit “Aleksandar Pallas”.